Ministri i Sportit: E pamundur ta dimë se kur mund ta rifillojë sezoni në Serie A

  • 06 May 2020 - 19:41
 Ministri i Sportit: E pamundur ta dimë se kur mund ta rifillojë sezoni në Serie A

Ministri i Sportit i Italisë, Vincenzo Spadafora, shpreson se qeveria do të mundë ta japë dritën e gjelbër për rifillimin e sezonit në Serie A, por e pranon se është e pamundur të përcaktohet një datë se kur.

Klubet profesioniste në Itali u janë rikthyer stërvitjeve individuale këtë javë, pasi qeveria e Spadaforas vendosi që t’i lejojë edhe ekipet e sportit të stërvitin, por individualisht.

Megjithatë, ai ka refuzuar të japë ndonjë datë të mundshme se kur mund të rifillojë Serie A.

“FIGC (Federata e Futbollit e Italisë) e ka propozuar një protokoll, të cilin do ta vlerësojë nesër komiteti shkencor”, tha Spadafora.

“Ne shpresojmë se do të mundë ta japim dritën e gjelbër, edhe pse futbolli është një sporti në të cilin është e pamundur të shmanget kontakti dhe mjetet mbrojtëse nuk mund të përdoren”, shtoi ai.

“E përsëris qëndrimin tim, i cili është edhe i qeverisë: ne shpresojmë se do ta rifillojmë sezonin së shpejti, por është e pamundur të përcaktohet data se kur”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)