Fred e pranon: Isha i tmerrshëm në sezonin e parë me Unitedin

  • 07 May 2020 - 08:33
Fred e pranon: Isha i tmerrshëm në sezonin e parë me Unitedin

Mesfushori i Manchester Unitedit, Fred, e ka pranuar se sezoni i tij i parë me Djajtë e Kuq ishte i tmerrshëm, përderisa ai thotë se kishte qenë duke e mësuar me stilin e lojës në Premierligë dhe jetën në Agnli.

Fred nënshkroi për Manchester Unitedin  në vitin 2018, pas pesë sezoneve me Shakhtar Donetskin, mirëpo nuk arriti të ishte mjaftueshëm mbresëlënës nën drejtimin e Jose Mourinhos, para se të vinte Ole Gunnar Solskjaer.

Braziliani fillimisht ishte cilësuar si transferim i dështuar, megjithatë ai ka arritur t’ua ndryshojë mendjen tifozëve me paraqitjet e tij mbresëlënëse këtë sezon, para se ndeshjet të pezulloheshin shkaku i koronavirusit.

“Mendoj se sezoni i parë ishte shumë i vështirë për mua. E kisha procesin e përshtatjes këtu, por kisha edhe gjëra të tjera personale në jetën time, si lindjen e djalit tim”, ka thënë Fred.

“Kështu që besoj se është një përzierje e arsyeve pse po e kaloja një sezon të tmerrshëm. Unë tani jam përshtatur mirë këtu”.

“I kam shijuar disa paraqitje të mira dhe më është dhënë mundësia të luaj në disa ndeshje radhazi, kjo ka qenë një ndihmë e madhe. Jam i kënaqur me këtë sezon”.

“Unë po luaja mirë dhe shpresoj që do të mund ta vazhdoj me po të njëjtën formë nëse rinis liga. Unë vetëm dua ta jap më të mirën time për këtë klub, të tentoj të jem pjesë kyçe e skuadrës”.

(Kosova Sot Online )