‘Luftë’ në Serie A për Mërgim Vojvodën

  • 11 May 2020 - 08:38
‘Luftë’ në Serie A për Mërgim Vojvodën

Mërgim Vojvoda bëhet objektiv i disa skuadrave të Serisë A.

Mediat në Itali janë duke raportuar se 25-vjeçari i Kombëtares së Kosovës pëlqehet nga Lazio, Fiorentina dhe së fundmi edhe nga Torino, që synon të përforcojë mbrojtjen.

Edhe pse është herët për të folur për një lëvizje konkrete, për futbollistin e Standard Liege duket se do të ketë një lloj ankandi, ku do të marrin pjesë disa ekipe italiane.

Transfermarkt e vlerëson anësorin e djathtë 2 milionë euro, por kalimi i tij në Serinë A pritet të ndodhë për më shumë.

Sipas Tuttosport, Vojvoda mund të kushtojë deri 5 milionë euro.

Mërgim Vojvoda ka qenë pjesë e Shpresës së Shqipërisë derisa në shtator të vitit 2016 kur iu bashkua “Dardanëve”.

Ai ka bërë disa paraqitje deri më tani me Kosovën dhe është i paprekshëm në formacionin e Bernard Challandes.

Në Serie A Vojvoda do të gjente mbrojtësin tjetër të Kosovës, Amir Rrahmani, që brenda pak muajsh te Hellas Verona, arriti të bindë me paraqitjet e tij dhe u ble nga Napoli, skuadër në të cilën do të luajë nga sezoni 2020.

(Kosova Sot Online )