Premierliga rikthehet më 12 qershor

  • 11 May 2020 - 10:37
Premierliga rikthehet më 12 qershor

Qeveria britanike do ta japë pëlqimin gjatë kësaj jave për rifillimin e sezonit 2019/20 në Premierligë më 12 apo 13 qershor, sipas mediave në vend.

Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson do t’i zbulojë sot në Parlament hollësitë e udhërrëfyesit për të dalë nga izolimi, ndërsa gazeta zyrtare me vendimet për sportet elitare do të publikohet të martën.

Sipas gazetës Telegraph, qeveria ka vendosur ta japë dritën e gjelbër për rikthimin e sporteve elitare muajin e ardhshëm, përfshirë Premierligën më 12 qershor, nëse plotësohen kushtet e sigurisë dhe rastet me koronavirus nuk rriten.

Klubet e Premierligës do të takohen gjatë kësaj jave për të biseduar rreth planit për zhvillimin e ndeshjeve në terrene neutrale, i cili po kundërshtohet nga disa prej tyre.

Por liga elitare angleze po bën trysni për rifillimin e sezonit dhe planifikon rifillimin e stërvitjeve nga e hëna e ardhshme si pjesë e një periudhe katër javore para se të rifillon sezoni më 12 apo 13 qershor.

Masat do të jenë të rrepta për mbajtën e higjienës dhe mbajtës së distancës në qendrat stërvitore dhe ndeshjet do të luhen pa praninë e shikuesve në stadiume, me vetëm 300 njerëz të pranishëm. 


(Kosova Sot Online)