Pesë arsyet pse Michael Jordan do të kishte sukses edhe sot në NBA

  • 12 May 2020 - 08:37
Pesë arsyet pse Michael Jordan do të kishte sukses edhe sot në NBA

Çfarë do të ndodhte nëse Michael Jordan do të luante në NBA sot? Kjo është një pyetje që tifozët e basketbollit po ia bëjnë vazhdimisht vetes gjatë dokumentarit të ESPN “The Last Dance”, në tentim për t’i krahasuar dy epoka të ndryshme në basketboll.

Megjithatë, ESPN argumenton se përkundër ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në NBA që nga koha e Michael Jordanit, amerikani do të ishte po aq dominues tani sa kishte qenë në vitet e 90-ta me Chicago Bulls.

Më poshtë mund t’i gjeni pesë arsyet që sugjerojnë se Michael Jordani do të ishte po aq mbresëlënës edhe nëse do të luante tani në NBA.

1. Atleticizmi i mrekullueshëm

Michael Jordan mbetet njëri ndër atletët më mbresëlënës në histori të NBA. Në një artikull të New York Times për të në vitin 1983 shkruhej: “Ai e ka trupin në proporcion të mirë, 198 centimetra i gjatë, 86 kilogramë, mund të luaj ose si “guard” ose si “forward”. Ai është i shpejtë, i ka kaluar 36.5 metra për vetëm 4.3 sekonda”.

ESPN e përshkruan atë si basketbollist me trupin si të Klay Thompson, agjilitetin e Allen Iversonit dhe shpejtësinë e Russell Westbrookut. Ai mund të jetë aq i fuqishëm fizikisht sa LeBron James, por e kompensonte këtë me cilësi të tjera.

2. Saktësia në gjuajtje

A do t’i funksiononte Jordanit stili i lojës në sulm tani? Kjo është më e komplikuar, pasi që loja në NBA ka ndryshuar shumë që kur Jordani u pensionua në vitin 2003. Gjuajtjet e sakta të Jordanit nga “mid-range” tani shikohen me më skepticizëm, pasi që lojtarët preferojnë të gjuajnë për tre pikë.

A do të mundë të përshtatej Jordanit me këtë realitet të ri? Jordani ka lindur në vitin 1963 dhe gjatë kohës sa ai po mësohej të luante basketboll, shumica e fushave në të cilat ai stërvitej as që e kishin vijën e trepikëshit atëherë. Në sezonin e parë të Jordanit në NBA, ekipet në NBA i shënonin mesatarisht 3.1 trepikësha në një ndeshje, ndërsa në sezonin 2019/20 kjo u rrit në 33.9.

Jordani e kishte përsosur lojën e tij në mënyrën se si luhej basketbolli atëherë dhe të njëjtën gjë do të kishte tentuar ta bënte edhe sot në NBA. ESPN parashikon se ai do të ishte po aq i saktë sa Paul George (39.9%) apo Kawhi Leonard (36.6%) nëse do të luante sot.

3. Rregullat e kanë bërë sulmin më të lehtë në NBA

Sa pikë do t’i kishte shënuar Jordani sot në NBA? Me ndryshimet që janë bërë në rregullat për prekjet mes lojtarëve gjatë ndeshjeve (si rregulla për hand-checking), shpërndarja e gjuajtjeve dhe shpejtësia e lojës, efiçienca e Jordanit do të kishte bërë që ai të shënonte edhe më shumë pikë.

Përderisa kritikët argumentojnë se NBA tani ka lojtarë më profesionistë dhe të specializuar më shumë për mbrojtjen kundër lojtarëve si Jordani, ndryshimi i rregullave e ka bërë më të vështirë mbrojtjen. Përderisa, siç shfaqet  në dokumentar, Jordani atëherë përballej me ndërhyrje tejet agresive, tani lojtarët në NBA janë shumë më të kufizuar në mbrojtje, pasi që shumë më lehtë shkaktojnë ndërhyrje dhe ia falin kundërshtarin disa gjuajtje të lira.

Jordani gjatë karrierës së tij i shënonte na 31.5 pikë mesatarisht për ndeshje, ndërsa ky numër vetëm sa do të ishte rritur në NBA sot, shkaku i gjuajtjeve më të shpeshta nga trepikëshi (Jordani e kishte kaluar një sezon të plotë me vetëm 12 trepikësha).

4. Mbrojtja e përsosur për NBA sot

Me kalimin e dekadave, aksionet e sulmeve janë bërë më të hapura. Kanë kaluar ditët si në kohën e Jordanit kur kundërshtari e gjuante veten mbi lojtarin që po e gjuante topin.

Kjo bën që ESPN të argumentojë se Jordani do të kishte qenë edhe më efikas në NBA sot. Ai kishte qenë më i mirë për vjedhjen e topit në tre sezone të NBA, ndërsa ishte shpallur lojtari më i mirë në mbrojtje në vitin 1998 dhe nëntë herë ishte pjesë e ekipit më të mirë defansiv.

5. Mentaliteti i tij garues

Përderisa kjo nuk mund të vërehet në statistika, gjëja që e bën të qartë se Jordani do të kishte sukses në cilëndo epokë të NBA është mentaliteti i tij garues.

Nga koha kur e mposhti Georgetown në vitin 1982 deri në kohën kur e mposhti Utah në vitin 1998, Jordani ishte lojtari më i mirë në fund të sezonit, në fund të serive dhe në fund të ndeshjeve.

Ai jo vetëm që e dominoi basketbollit në vitet e 90-ta, ai i ndryshoi standardet për të gjithë lojtarët që erdhën pas tij, falë aftësive fizike, talentit dhe shpirtit të tij garues.

(Kosova Sot Online )