Rose kritikon planin për rinisjen e Premierligës: S’më intereson për gjendjen e popullit

  • 12 May 2020 - 09:37
Rose kritikon planin për rinisjen e Premierligës: S’më intereson për gjendjen e popullit

Danny Rose e ka kritikuar planin për rinisjen e Premierligës, duke insistuar se kthimi i futbollit nuk duhet të jetë aspak njëri ndër prioritetet në këto momente.

Qeveria britanike e konfirmoi të hënën se sporti profesionist nuk mund të rinisë deri më 1 qershor, as prapa dyerve të mbyllura, përderisa e bëri të ditur rrugën drejt kthimit në normalitet pas situatës së krijuar nga virusi Covid-19.

Klubet e Premierligës mbajtën edhe bisedime të mëtutjeshme me zyrtarët e ligës të hënën në tentim për t’i dhënë fund ndërprerjes së ndeshjeve dhe seancave stërvitore dhe për ta rinisur sezonin 2019/20. Në këtë takim, klubet nuk u shprehën të gatshme t’i luajnë ndeshjet e mbetura në stadiume neutrale.

Richard Masters, drejtori ekzekutiv i Premierligës, tha se ata janë duke punuar për ta krijuar një model sa më të përgjegjshëm dhe të sigurt për ta kompletuar këtë sezon, përderisa 12 qershori u përdor si datë e mundshme e kthimit të Premierligës.

Qeveria britanike e ka bërë të qartë se e dëshiron kthimin e futbollit në mënyrë që të përmirësohet gjendja shpirtërore e qytetasve, që kanë qenë të vetëizoluar që nga marsi.

Por, Rose, i cili është i huazuar në Newcastle nga Tottenhami, thotë se do të ishte një çmenduri nëse vendoset të kthehet futbolli pa pasur ulje të dukshme në numrin e të infektuarve me koronavirus.

“Qeveria po thotë se duhet ta kthejmë futbollin sepse kështu do ta përmirësojmë gjendjen shpirtërore të popullit”, tha Rose, në një lidhje të drejtpërdrejtë në llogarinë e tij në Instagram.

“Mua s’më intereson për gjendjen shpirtërore të popullit. Jetët e njerëzve janë në rrezik. As që duhet të flitet për kthimin e ndeshjeve të futbollit deri kur të ulet dukshëm numri i të infektuarve.

“Këto janë gjepura. Do ta shohim. Unë supozohet ta bëj testin për virusin Covid-19 të premten, kështu që duhet të presim e ta shohim se çfarë do të ndodhë”.

(Kosova Sot Online )