Suarez: Stërvitjet me Messin dhe Iniestan ishin brutale

  • 12 May 2020 - 13:13
Suarez: Stërvitjet me Messin dhe Iniestan ishin brutale

Denis Suarez beson se ai mund ta kishte fituar një rol më të rëndësishëm në skuadër nëse do të kishte qëndruar në Manchester City, mirëpo nuk është penduar që u largua për t’u transferuar në vitin 2013 në Barcelonë, ku u përball me stërvitjet që u quajti brutale përkrah Lionel Messit dhe Andres Iniestas.

Manchester City kishte besuar në potencialin e tij si lojtar i ri e i talentuar në vitin 2011, kur e kishte transferuar mesfushorin nga Celta Vigo.

Megjithatë, ai s’arriti të lërë gjurmë në Etihad Stadium para se ta siguronte transferimin në Barcelonë, duke i bërë vetëm dy paraqitje për klubin anglez.

Megjithatë, një transferim tjetër në Villarreal u nevojit para se atij t’i hapej dera e ekipit të parë në Camp Nou dhe Suarez u kthye në Katalonjë për t’u bërë pjesë e një skuadre plot yje.

“Unë isha në City për dy vjet. Ata donin që unë të nënshkruaja kontratë të re, por unë preferova të shkoja në Barcelonë. Askush nuk mund ta dijë se çfarë do të kishte ndodhur”, ka thënë Suarez.

“Ndoshta po të kisha qëndruar, do të kisha qenë duke luajtur rregullisht atje, por unë e mora vendimin për të shkuar në Barcelonë sepse ishte opsioni i duhur për mua sepse unë luajta në shumë ndeshje për ekipin e tyre të parë”.

“Dhe, të stërvitesh me Lionel Messin dhe Andres Iniestan…. brutale. Leo është më i miri. Andres është shembull për mua. Unë mezi prisja të mësoja nga ta dhe të luaja me ata, Messi stërvitet ashtu siç luan. Ai do të fitojë, në çdo stërvitje dëshiron të fitojë”. 

(Kosova Sot Online)