RB Leipzig e mohon se ka arritur marrëveshje me Rashicën

  • 12 May 2020 - 17:10
 RB Leipzig e mohon se ka arritur marrëveshje me Rashicën

Drejtori sportiv i RB Leipzig, Markus Krosche, i ka hedhur poshtë thashethemet në mediat gjermane se klubi ka arritur marrëveshje me yllin kosovar të Werder Bremenit, Milot Rashicën, duke thënë se është e pakuptimtë të thuhet se mund të arrihen marrëveshje të tilla në një gjendje si kjo, midis pandemisë koronavirus.

Mediat gjermane raportuan sot se RB Leipzig kishte arritur marrëveshje me Rashicën dhe se i kishte mbetur të bjerë në ujdi edhe me Werderin për ta sjellë në klub kosovarin. Njeriu i ngarkuar me prurje dhe largime nga klubi e mohon një gjë të tillë, edhe pse e pranon se Rashica i intereson Leipzigut.

“Është e pakuptimtë (të thuhet) se mund të arrihen marrëveshje konkrete në këtë gjendje që jemi tani”, tha Krosche.

Bundesliga e ka marrë dritën e gjelbër të ta rifilluar sezonin 2019/20 nga 16 maji dhe Krosche thotë se kjo është gjeja më e rëndësishme për momentin dhe jo marrëveshjet e mundshme mes klubeve për futbollistët.

“Për këtë mund të flasim vetëm nëse rifillojmë të luajmë futboll dhe ta përfundojmë sezonin. Ky është procesi tani. Ende jemi larg të qenit specifik me ndonjë klub apo lojtar”, shtoi ai.

Në prill Krosche e kishte mohuar se Leipzig do ta paguante klauzolën e lirimit të Rashicës në vlerë 38 milionë euro.

23-vjeçari i ka dy klauzola lirimi në kontratën e tij me Werder Bremen, të cilat ia mundësojnë kosovarit largimin nga klubi i Bundesligës gjatë një periudhe të shkurtër kohore në afatin kalimtar të verës.

Njëra ia mundëson largimin në rast në Werderi bie nga liga, për vetëm 15 milionë euro, sipas Sport Bild. Ndërsa tjetra në vlerë 38 milionë euro, nëse klubi mbijeton në ligën elitare gjermane.

Rashica i shënoi 12 gola dhe i dhuroi gjashtë asiste në 30 ndeshje për Werderin sezonin e kaluar në Bundesligë. Ndërsa këtë sezon, ai i ka regjistruar 10 gola dhe pesë asiste në 24 ndeshje deri tani.

Werderi renditet në pozitën e parafundit në Bundesligë, me 18 pikë, tetë pikë larg vendit që ia siguron qëndrimin në elitë, të ciline mban Mainz.

Skuadra e Florian Kohfeldt e mori vetëm një pikë nga pesë ndeshjet e fundit para pandemisë, duke u mposhtur katër herë radhazi para se të barazonte Hertha Berlin.

(Kosova Sot Online)