Lehmann: Koronavirusi s’është shqetësim i madh për futbollistët

  • 13 May 2020 - 08:31
Lehmann: Koronavirusi s’është shqetësim i madh për futbollistët

Ish-portieri i Arsenalit, Jens Lehmann, e ka përkrahur vendimin e Bundesligës për t’u kthyer në fushën e blertë, duke thënë se koronavirusi nuk është shqetësim i madh për atletët e rinj dhe të shëndoshë.

Liga elitare gjermane pritet të bëhet liga e parë e madhe në Evropë që rinis pas pezullimit të shkaktuar nga koronavirusi, pasi që ndeshjet e para pas kësaj ndërprerje do të zhvillohen të shtunën.

Disa liga të tjera në Evropë shpresojnë të kthehen gjithashtu muajin e ardhshëm, përderisa liga Eredivisie në Holandë dhe ajo Ligue 1 në Francë tashmë i kanë mbyllur para kohe sezonet 2019/20.

Bundesliga e ka bërë të qartë se do të vazhdojë tutje me planin për rinisje më 16 maj, përkundër që klubi i nivelit të dytë Dynamo Dresden u detyrua ta shtyjë ndeshjen e vet pasi që infektimi i dy lojtarëve me Covid-19 e detyroi të gjithë ekipin të futet në karantinë.

Më herët këtë muaj pati shqetësime edhe për rinisjen e sezonit të Bundesligës, kur Koln e konfirmoi se tre persona në klub kanë testuar pozitivisht dhe kanë hyrë në karantinë.

Lehmann, i cili i bëri gati 400 paraqitje në Bundesligë për Schalken, Dortmundin dhe Stuttgartin, beson se Bundesliga e ka marrë vendin e duhur, duke thënë se publiku do të duhet të mësohet të jetojë me virusin.

“Në fund, ne duhet të jetojmë me të sepse gjëra e vetme në të cilën bazohet ky vetëizolim është shpresa që eventualisht do ta gjejmë një vaksinë apo një ilaç që ndoshta mund ta shërojë. Por, kjo është vetëm shpresë”, ka thënë Lehmann.

“Deri më tani, ne s’kemi asgjë. Nuk mund të mbyllim gjithçka për shkak të kësaj. Kështu që duhet të ecim përpara”.

“Për aq kohë sa simptomat nuk janë aq të këqija, mendoj se lojtarët duhet ta përballojnë këtë. Ne kemi shumë lojtarë që kanë qenë të infektuar dhe shumica as nuk kanë pasur simptoma. Kështu që mendoj që për njerëzit e rinj e të shëndetshëm me sistem të fortë imunitar, nuk është një shqetësim kaq i madh”.

Lehmann së fundi e kishte konfirmuar se ai do të bëhet anëtar i bordit mbikëqyrës të klubit të Bundesligës, Hertha BSC.

(Kosova Sot Online )