Asgjë nga takimi i krerëve të sportit me ministrin Vitia për rikthimin e sportit, pajtohen për t’u takuar sërish

  • 14 May 2020 - 08:13
Asgjë nga takimi i krerëve të sportit me ministrin Vitia për rikthimin e sportit, pajtohen për t’u takuar sërish

Krerët e institucioneve sportive në vend kanë dështuar të arrijnë marrëveshje me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, për rifillimin e garave sportive më herët seç është paraparë në masat e qeverisë për mbrojtje ndaj pandemisë koronavirus.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, bashkë me ministren për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, drejtorin e Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj dhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e Eroll Salihu, e kanë takuar  ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, por pa mundur të arrijnë ndonjë marrëveshje për rifillimin e garave sportive në vend.

“U dakorduam që nesër në takimin e KOK-ut, MKRS-së dhe federatave, të mblidhen shënime plotësuese nga federatat. Pasi të tubohen këto të dhëna, do të realizohet edhe një takim tjetër”, deklaroi presidenti Hasani për faqen zyrtare të KOK-ut, ëëë.noc-kosovo.org.

Në vendimin e fundit të qeverisë për lehtësimin e masave, sporti lejohet nga 1 qershori, datë që për Federatën e Futbollit të Kosovës është shumë e vonshme për rinisjen e sezonit në Superligë.

FFK-ja dhe përfaqësuesit e klubeve të ligës elitare kosovare kanë paralajmëruar se sezoni 2019/20 në Ipko Superligë do të dështojë, nëse Ministria e Sportit nuk ua pranon planin për rifillimin e sezonit këtë muaj.

FFK-ja e ka përpiluar një plan për rikthimin e skuadrave në stërvitje nga mesi i këtij muaji dhe kthimin në fushë me ndeshjet gjysmëfinale në Kupën e Kosovës nga 24 maji, ndërsa rifillimin e kampionatit nga 1 qershori.

Pavarësisht vendimit të qeverisë, Llapi i ka rifilluar stërvitjet para dy ditëve dhe organi qeverisës i futbollit në vend bashkë me klubet janë duke i bërë presion Qeverisë ta aprovojë planin e tyre për rikthim më të hershëm të futbollit.

Sezoni në Superligë u pezullua më 13 mars pas javës së 22-të, menjëherë pas rasteve të para me Covid-19 në vend.

Ipko Superliga i ka edhe 11 javë të mbetura, me Ballkanin që prin me 44 pikë, një më shumë se Drita në vendin e dytë.

Në basketboll, ndërkohë, sezoni 2019/20 përfundoi para kohe dhe u shpall i pavlefshëm, pra titulli nuk iu dha askujt dhe nuk pati rënie nga liga e as promovim.

(Kosova Sot Online )