“Më ka befasuar Rrahmani, isha skeptik për të”

  • 14 May 2020 - 15:04
“Më ka befasuar Rrahmani, isha skeptik për të”

Drejtori sportiv i Hajduk Splitit, Sasa Bjelanovic e pranon se nuk kishte pritur që Amir Rrahmani do të arrinte në këtë pikë të karrierës

Futbollisti kosovar, pas eksperiencave në futbollin e këtushëm dhe në Shqipëri, e kishte vazhduar karrierën në Kroaci, duke luajtur për Lokomotiv dhe Dinamo Zagrebin.

Verën e kaluar ai iu bashkua Veronës dhe paraqitjet mbresëlënëse që i bëri në Serie A bënë që në janar kartonin e tij ta blinte Napoli.

E drejtuesit e gjigantit kroat kanë mbetur gojëhapur me përparimin e shpejtë të përfaqësuesit kosovar, por edhe ata të klubeve të tjera kroate.

Madje, drejtori sportiv i Hajduk Splitit, Sasa Bjelanovic e pranon se nuk besonte se qendërmbrojtësi do të ketë sukses në karrierë.

“Në të kaluarën kam qenë skeptik për Rrahmanin. Nuk e kam pritur kurrë një eksplodim të tij. Prezenca e trajnerit të Veronës, Juric ka qenë mjaft e rëndësishme për të. Ka dëshirë të madhe të punojë dhe të vihet në dispozicion. Jam mjaft i lumtur dhe i kënaqur me atë që është duke e bërë. Kjo demonstron se në futboll nuk duhet të japësh gjykime para kohe, duke e pasur parasysh që sezonin e ardhshëm do ta shohim në Napoli”, deklaroi Bjelanovic në programin italian “Taca La Marca” në “Radio Musica Television”.

Së bashku me bashkëkombësin e tij, Marash Kumbulla, Rrahmani e ka përbërë një dyshe të pakalueshme këtë sezon në mbrojtjen e Veronës.


(Kosova Sot Online)