Trajneri i klubit gjerman do të mungojë në kthimin e Bundesligës, shkeli rregullat për Covid-19

  • 15 May 2020 - 09:35
Trajneri i klubit gjerman do të mungojë në kthimin e Bundesligës, shkeli rregullat për Covid-19

Augsburgu ka bërë të ditur se trajneri Heiko Herrlich nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen e së shtunës kundër Wolfsburgut, pasi që ai i ka shkelur rregullat e vendosura si masa parandaluese për Covid-19.

Heiko Herrlich e pranoi se ishte larguar nga hoteli i skuadrës të enjten, që nuk lejohet shkaku i masave të ndërmarra para rinisjes së Bundesligës këtë fundjavë, me ndeshje që do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura.

Mediumet gjermane raportuan se Herrlich ishte larguar nga hoteli për të blerë gjësende si pastë dhëmbësh dhe krem për lëkurë.

Ndeshja e kësaj fundjave pritej të ishte e para për të si trajner i Augsburgut, pasi u emërua në këtë post më 10 mars, për t’u kthyer në karrierën si trajner 18 muaj pasi ndau rrugët me punëdhënësit e fundit, Bayer Leverkusen.

Bundesliga ishte ndërprerë shkaku i koronavirusit menjëherë pas emërimit të tij në postin e trajnerit, duke bërë kështu që ai të mos ketë pasur mundësi të debutojë ende me klubin e tij të ri.

Tani, ai do të duhet të qëndrojë larg skuadrës dhe stafit të trajnerit deri sa t’i dalin dy teste për Covid-19 negative, ashtu siç janë udhëzimet për të gjitha klubet në ligën elitare të Gjermanisë.

(Kosova Sot Online )