Messi nxit spekulimet: Lautaro është sulmues mbresëlënës

  • 15 May 2020 - 13:45
Messi nxit spekulimet: Lautaro është sulmues mbresëlënës

Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messin, e ka lavdëruar Lautaro Martinezin duke e quajtur atë sulmues mbresëlënës, mes spekulimeve të vazhdueshme për një transferim të yllit të Interit në Camp Nou.

Qendërsulmuesi 22-vjeçar është bërë yll në Serie A gjatë këtij sezoni, duke i shënuar 16 gola në të gjitha garat, pasi kishte dështuar të arrinte numër dyshifror të golave të shënuara gjatë sezonit të kaluar.

 

Zhvillimi i shpejtë i Lautaros ka bërë që ai ta tërheqë vëmendjen e shumë klubeve të mëdha të Evropës. Mediat e mëdha evropiane të sportit kanë raportuar se 22-vjeçari dëshiron t’i bashkohet klubit katalonas, pasi që dëshiron të luajë përkrah bashkëkombësit të tij Lionel Messi edhe në nivelin e klubeve. E këto spekulime i ka nxitur edhe më shumë agjenti i tij, duke thënë “Kush nuk do të dëshironte të luante me Messin?!”

Përderisa Messi nuk është i sigurt nëse spekulimet për transferimin e tij janë të vërteta, ai tha se do të ishte i lumtur të luante më bashkëkombësin e tij në Camp Nou.

“Që të jem i sinqertë, unë nuk e di nëse ata kanë në negociata apo jo, s’ia kam idenë”, ka thënë Messi.

“Mendoj se tashmë e kam përmendur që Lautaro është një sulmues mbresëlënës, veçanërisht pasi që unë mendoj se ai është një sulmues i kompletuar”.

“Ai është i fortë, driblon mirë, shënon gola, di si ta mbrojë topin… Por, epo, ne do të duhet ta shohim se çfarë do të ndodhë në fund me të dhe lojtarët e tjerë”.

Martinez ka klauzolë për shkëputjen e kontratës me klubin prej 111 milionë eurosh. Kjo klauzolë është e vlefshme për të gjitha klubet jashtë Italisë, megjithatë Barcelona s’është e gatshme ta paguajë një shumë të tillë, për shkak se do të binte ndesh me rregullat financiare të UEFA-s.

Gazeta italiane Tuttosport raporton se klubi i La Ligas do t’ia ofrojë Interin disa lojtarë të vet për ta zbritur çmimin për Martinezin. Barcelona dëshiron t’i përfshijë Nelson Semedo, Arthur, Arturo Vidal, Carles Alena dhe Jean-Clair Todibo në marrëveshje.


(Kosova Sot Online)