Klopp tallet me legjendën e Manchester Unitedit

  • 15 May 2020 - 14:50
Klopp tallet me legjendën e Manchester Unitedit

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, thotë e vetmja gjë që ai e ka mësuar gjatë karantinës së detyruar shkaku i koronavirusit është se legjenda e Manchester Unitedit, Gary Neville, ka mendim për çdo temë të mundshme.

Strategu gjerman është dashur të presë që nga marsi për rinisjen e aktiviteteve sportive, përderisa Liverpoolit i duhen ende vetëm edhe dy fitore për ta fituar titullin e Premierligës – që do të bënte që Liverpooli të shpallej për herë të parë kampion i Anglisë pas 30 vjetësh.

Klopp ka qenë duke e kaluar kohën e tij në karantinë duke shikuar ndeshje të vjetra të futbollit, përderisa ka bërë të ditur se edhe po i ndjek lajmet e fundit nga bota e futbollit.

Ish-mbrojtësi anësor i Manchester Unitedit, Gary Neville, punon si analist në Sky Sports dhe Kloppit duket se i kanë rënë në sy më së shumti mendimet e tij.

“Nuk kam mësuar shumë gjatë karantinës përveç që Gary Neville ka mendim për absolutisht gjithçka! Është e mrekullueshme! Kështu që jo, nuk kam mësuar shumë gjëra, por unë e kam njohur veten që 52 vjet”.

“Unë e dija edhe më parë se mund t’i përballoj situatat e vështira dhe kjo është një situatë e vështirë jo vetëm për mua dhe për familjen time, por për të gjithë planetin. Unë jam mjaft krenar me mënyrën se si po përballemi me këtë krizë si shoqëri”. 

(Kosova Sot Online)