Kumbulla dhe Gjimshiti të paprekshëm te Shqipëria: “Kemi shpresa të mëdha…”

  • 16 May 2020 - 15:41
 Kumbulla dhe Gjimshiti të paprekshëm te Shqipëria: “Kemi shpresa të mëdha…”

Berisha, Strakosha, Hysaj, Kumbulla, janë disa prej lojtarëve që Duka përmendi për “Tuttomercatoweb”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është rrëfyer për “Tuttomercatoweb”.

Duke folur për futbollin shqiptar, emërimin në stol të Edy Rejës, në një intervistë të dhënë për faqen italiane, numri 1 i futbollit shqiptar, foli edhe për futbollistët shqiptarë që luajnë në Serie A.

Ai nuk ka asnjë dyshim se ata janë zemra e Kombëtares.

“Kumbulla ka luajtur me ne që nga kombëtarja U15. Pak me Shqipërinë U21 dhe tani është në skuadrën e parë. Kemi shpresa të mëdha tek ai. Kemi shumë lojtarë të talentuar në ekipin e parë dhe te moshat”, u shpreh Duka.

“Portierët? Kemi Strakoshën dhe Berishën. Etriti është një lider, kurse Thomas po lufton për të fituar titullin kampion. Është i ri dhe i Zoti. Reja është në vështirësi, pasi janë të mirë dhe luajnë që të dy. Nuk është e lehtë”.

“Pastaj është edhe Gjimshiti tek Atalanta, që ka kaluar në çerekfinale të Champions League. Ky është sezoni më i mirë në karrierë për të. Berati është zhvilluar dhe ka ndryshuar shumë, tani është një lider”.

“Për të mos përmendur më pas edhe Elseid Hysaj, kapitenin tonë, një referencë në kombëtare dhe lojtar i një klubi të madh si Napoli”, përfundoi Duka.

Me një fjalë, nga tani dhe për shumë vite, Gjimshiti dhe Kumbulla do të jetë dyshja në qendër të mbrojtjes të Kombëtares shqiptare, në kërkim për të shkruar histori, siç bën në vitin 2016 duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian.

(Kosova Sot Online)