Nota dhe statistikat e Rashicës nga disfata e djeshme

  • 19 May 2020 - 08:48
Nota dhe statistikat e Rashicës nga disfata e djeshme

Ylli kosovar, Milot Rashica, nuk e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme kthimin e Bundesligës, pas pauzës së gjatë shkaku i koronavirusit. Megjithatë, edhe këtë herë, Rashica pati statistika më të mira sesa shumica e bashkëlojtarëve të tij.

Me kthimin e Bundesligës pas pauzës dy mujore për shkak të pandemisë së koronavirusit, Werder Bremeni shpresonte t’i kthehej formës së vjetër, kur sezonin e kaluar dështoi të kualifikohet në Europa League për një pikë.

Megjithatë, Bremeni i Florian Kohfeldt, me Rashicën titullar, gaboi sërish në shtëpi, pasi që pësoi disfatë me rezultat 4-1 kundër Bayer Leverkusenit.

Sido që të jetë, sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, për aq sa ishte në fushë, 85 minuta, u mundua të bëjë diçka, përkundër që s’ia arriti qëllimit. Ai u vlerësua nga SofaScore me notë 6.7, përderisa tre bashkëlojtarë të tij morën notë më të lartë se ai.

Gjatë 85 minutave lojë, Rashica e bëri vetëm një tentim për të shënuar dhe goditja e tij shkoi jashtë kuadratit të portës, duke mos e rrezikuar kështu portierin kundërshtar, Lukas Hradecky.

Rashica i bëri dy tentime për driblime, megjithatë nuk arriti të ketë sukses në asnjërin tentim, përderisa i bëri 18 pasime të sakta (gjithsej 81% i saktë në pasime).

Më tutje, Rashica ishte i saktë në njërin nga dy tentimet e tij për ta  harkuar topin, përderisa e arriti me saktësi pasimin e vetëm të gjatë që e tentoi. Kosovari e dëmtoi skuadrën e tij duke e humbur topin 12 herë, përderisa i fitoi tri nga shtatë duelet me kundërshtarët e tij, por në anën tjetër ia fitoi skuadrës së tij dy gjuajtje të lira, të cilat megjithatë s’u shfrytëzuan nga ekipi i tij.

(Kosova Sot Online )