UEFA mendon ta ndryshojë formatin e Ligës së Kampionëve

  • 19 May 2020 - 16:30
UEFA mendon ta ndryshojë formatin e Ligës së Kampionëve

UEFA, Shoqata e Klubeve Evropiane dhe përfaqësuesit e Ligave Evropiane janë duke e shqyrtuar mundësinë e ndryshimin të formatit të Ligës së Kampionëve për t’i akomoduar të gjitha ndeshjet në kalendar.

Gazeta italiane, TuttoMercatoWeb, raporton se grupi punues e ka propozuar idenë që Liga e Kampionëve të kompletohet këtë sezon përmes një formati si “Final Four” në Stamboll, më vonë këtë verë.

Pasi të përfundohen ndeshjet e mbetura kthyese të 1/8 të finales dhe çerekfinalet, atëherë klubet do të mundë ta vazhdojnë garën duke e zhvilluar vetëm nga një ndeshje (jo vajtje-ardhje), pasi që të gjitha ndeshjet të zhvillohet në stadium neutral në Stamboll.

Katër ekipet e mbetura në të dyja garat e Evropës – Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës – do të kishin kështu mundësi t’i zhvillonin gjysmëfinalet dhe finalet me nga një ndeshje në vendet ku ishte planifikuar të zhvillohej finalja, Stamboll dhe Gdansk.

Liga e Evropës mendohet të rinisë nga 6 gushti, ndërsa Liga e Kampionëve nga 8 gushti.

Lojtarët do të duhet t’i zhvendosin pushimet verore për në shtator këtë vit dhe për këtë arsye UEFA do të duhet t’i shtyjë ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Ndërkohë, Marca raporton se tri nga 12 qytetet që ishin supozuar të ishin nikoqire të ndeshjeve të Kampionatit Evropian mund të detyrohet të tërhiqen për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Federata e Futbollit e Spanjës e ka mohuar të jetë Bilbao në mesin e qyteteve për të cilat spekulohet, mirëpo UEFA megjithatë thuhet se e ka shtyrë takimin e Komitetit Ekzekutiv, që ishte planifikuar për 27 maj.

(Kosova Sot Online)