Testohen të gjitha klubet e Premierligës, konfirmohen 6 raste me koronavirus

  • 19 May 2020 - 19:06
 Testohen të gjitha klubet e Premierligës, konfirmohen 6 raste me koronavirus

Premierliga njofton se tri klube të veta i kanë konfirmuar gjashtë raste pozitive me koronavirus, pas fazës së parë të testimit masiv.

Në përgjithësi, 748 teste janë kryer gjatë fundjavës dhe nuk është e qartë nëse ato u janë bërë vetëm lojtarëve, vetëm stafit apo të dy palëve së bashku.

Kushdo që del pozitiv duhet të vetizolohet për shtatë ditë dhe nuk guxon të shkojë në qendrën stërvitore të klubit, në bazë të rregullave për rikthimin e Premierligës.

Premierliga nuk i ka zbuluar emrat e klubeve apo individëve që kanë dalë pozitivë.

Faza e dytë e testimit do të ndodhë në fund të kësaj jave.

“Premierliga mund të konfirmojë se të dielën, më 17 maj dhe të hënën, më 18 maj, janë kryer 748 teste për Covid-19”, shkruhet në njoftimin e Premierligës të martën.

“Prej tyre, gjashtë kanë dalë pozitivë nga tri klube. Lojtarët apo anëtarët e stafit të klubeve që kanë dalë pozitiv, do të vetizolohen për shtatë ditë”.

(Kosova Sot Online)