Klubi i Premierligës i konfirmon tri raste me koronavirus

  • 20 May 2020 - 08:26
Klubi i Premierligës i konfirmon tri raste me koronavirus

Watfordi ka bërë të ditur se tre persona në klub kanë dalë pozitivë në testet për virusin Covid-19, që u bënë gjatë dy ditëve të fundit.

Të martën, Premierliga e konfirmoi se kishin dalë gjashtë raste pozitive me koronavirus nga gjithsej 748 testet e lojtarëve dhe stafit të klubit që ishin kryer të dielën dhe të hënën.

Liga e konfirmoi se testet pozitive erdhën nga tri klube të ndryshme – njëri ndër rastet pozitive ishte ndihmëstrajneri i Burnleyt, Ian Woan, për të cilin klubi ka bërë të ditur se nuk ka simptoma dhe se po ndihet mirë, përderisa është i izoluar në shtëpi.

 

Pastaj, të martën në mbrëmje, Watfordi e konfirmoi se një lojtar dhe dy anëtarë të stafit kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus dhe se tani do ta fillojnë periudhën e vetëizolimit të detyruar.

“Watfordi e konfirmon se tre persona kanë dalë pozitivë për koronavirus, pas testeve të bëra në kampin stërvitor gjatë 48 orëve të fundit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi.

“Nga këto tre raste pozitive, njëri është lojtar dhe dy të tjerët janë anëtarë të stafit. Të tre kanë kërkuar që t’u respektohet privatësia dhe për këtë arsye klubi s’do t’i zbulojë emrat e tyre”.

(Kosova Sot Online )