Rapinoe vazhdon zënkën me Donald Trump: Ai është një nacionalist i bardhë

  • 20 May 2020 - 09:02
Rapinoe vazhdon zënkën me Donald Trump: Ai është një nacionalist i bardhë

Ylli i ekipit kombëtar të vajzave të SHBA-së, Megan Rapinoe, e ka kritikuar edhe një herë presidentin e vendit, Donald Trump, duke thënë se ai është një “nacionalist i bardhë” që nuk prodhon asgjë tjetër përveç urrejtjes.

Kapitenia e ekipit të SHBA-së ka qenë duke debatuar me presidentin amerikan që nga Kupa e Botës e vajzave në vitin 2019.

Gjithçka kishte filluar kur Rapinoe kishte thënë se ajo nuk do të shkonte në “Shtëpinë e Bardhë të dreqit” nëse skuadra e saj do të fitonte, siç bëri, në Francë. Trump ishte përgjigjur se ajo duhet të fitojë para se të shqetësohet për një ftesë nga Shtëpia e Bardhë.

Që nga atëherë, Rapinoe e ka kritikuar sërish Trump disa herë, duke e cilësuar si një shaka, racist dhe seksist.

“Mendoj se imigrantët nuk bëjnë që të humben vendet e punës. Imigrimi është një gjë e mirë për ekonominë. Ne e dimë se përfshirja e grave në fuqinë punëtore është një gjë e mirë për ekonominë”, ka thënë Rapinoe.

“Ne e dimë që barazia është një gjë e mirë për ekonominë, e dimë që burgosjet masive janë të këqija për ekonominë dhe shoqërinë. Tani, ne e kemi një nacionalist të bardhë në Shtëpinë e Bardhë që di të përhapë vetëm urrejtje dhe ta tjetërsojë pjesën tjetër të vendit”.

“Kjo ka shkaktuar vetëm më shumë tension mes njerëzve dhe më shumë dëshpërim, ankth dhe frikë. Nuk ka ndodhur asgjë për t’i lehtësuar ata të Trump, por atyre u ka dhënë punë. Nuk ua ka bërë jetët më të mira, vetëm u ka dhënë arsye të rreme se pse ndoshta ata s’janë të lumtur me jetët e tyre”.

(Kosova Sot Online )