Klopp, i gëzuar nga kthimi i Bundesligës

  • 20 May 2020 - 10:34
Klopp, i gëzuar nga kthimi i Bundesligës

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka thënë se është shumë i lumtur që ndeshjet e Bundesligës kanë rinisur, përderisa ka insistuar se ndeshjet e zhvilluara prapa dyerve të mbyllura do të jenë mjaftueshëm argëtuese për tifozët në karantinë.

Liga elitare gjermane rinisi gjatë fundjavës dhe Jurgen Klopp tha se ai i shijoi ndeshjet po aq shumë sa me tifozë në stadium, mirëpo e pranoi se kjo mund të vlejë vetëm për të pasi që ai e cilësoi veten si njeri të çuditshëm.

Përderisa në një botë ideale stadiumet do të kishin të mbushura me tifozë, Klopp dëshiron që njerëzit të fillojnë ta vlerësojnë faktin që futbolli po kthehet dalëngadalë, pas pauzës së detyruar shkaku i koronavirusit.

“Shikoni, mua po më pëlqen shumë. Në këtë aspekt, jam person i çuditshëm. Kur shikoj futboll – edhe ndeshje tjera, jo vetëm tonat – unë i shikoj pa zë sepse nuk dua ta dëgjoj komentimin, jam i interesuar ta shoh lojën”, ka thënë Klopp.

“Kështu që për mua tani është shumë normale t’i shoh në këtë mënyrë ndeshjet e futbollit. Mua më pëlqen loja, jam i interesuar ta shoh se çfarë bëjnë ata dhe gjëra të tilla”.

“E di se nuk është njëjtë të luhen ndeshje prapa dyerve të mbyllura. Pse duhet ta përmendim? Neve të gjithëve na pëlqen kur përkrahemi nga njerëzit. Na pëlqen, por s’mund ta kemi këtë për momentin”.

“Duket se është e mundur të zhvillohen ndeshjeve prapa dyerve të mbyllura – në Gjermani tashmë është e mundur. Për më tepër që ndeshjet ishin shumë të mira: supergola, beteja të vërteta, ndeshje interesante, rezultate të qarta”. 

(Kosova Sot Online)