Nistelrooy përgënjeshtron Capellon: Zhveshtores së Realit s’i vinte era alkool

  • 20 May 2020 - 15:56
 Nistelrooy përgënjeshtron Capellon: Zhveshtores së Realit s’i vinte era alkool

Ruud van Nistelrooy i ka mohuar pretendimet e ish-trajnerit Fabio Capello, i cili tha se zhveshtores së Real Madridit i kishte ardhur era alkool, pasi që Ronaldo brazilian vazhdimisht bënte festa.

Sulmuesi holandez, Ruud Van Nistelrooy, kishte qenë në Santiago Bernabeu gjatë të njëjtës kohë me Ronaldo Nazarion. Për këtë të fundit, Capello e ka pranuar se i ka shkaktuar atij shumë telashe si trajner.

“Talenti më i madh të cilin e kam stërvitur ndonjëherë është Ronaldo”, ka thënë Capello, në një intervistë të dhënë për Sky Sport.

“Por, në të njëjtën kohë, ai ishte lojtari që më shkaktonte më së shumti probleme në zhveshtore”.

“Ai organizonte festa dhe gjëra të tilla. Më kujtohet që një herë Van Nistelrooy më kishte thënë: “Trajner, zhveshtores i vjen era alkool””.

Megjithatë, Van Nistelrooy reagoi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter për t’i mohuar këto pretendime të ish-trajnerit të tij.

“Shkaku i deklaratave të fundit të bëra nga Fabio Capello, që pretendoi se unë i kisha thënë një herë se zhveshtores së Real Madridit i vinte era alkool, unë dua t’i mohoj plotësisht komentet e tilla”, shkroi ai.

“Të gjithë në zhveshtore ishin maksimalisht profesionistë që nga dita e parë. Secili nga ne punonte dhe e mbronte logon e klubit në një mënyrë profesioniste dhe integrale”.

(Kosova Sot Online)