Futbollisti i Dritës pozitiv me koronavirus, një ditë pasi klubi i rifilloi stërvitjet

  • 20 May 2020 - 18:43
 Futbollisti i Dritës pozitiv me koronavirus, një ditë pasi klubi i rifilloi stërvitjet

Drita ka njoftuar se njëri prej futbollistëve të saj ka dalë pozitiv në testin për Covid-19, duke u bërë kështu lojtari i parë i Ipko Superligës që ka koronavirus.

Klubi nga Gjilani nuk e ka bërë të ditur emrin e futbollistit të infektuar me virus, por ka treguar se ai është vetizoluar në shtëpinë e vet.

Ky lajm i keq vjen vetëm një ditë pasi klubi i rifilloi stërvitjet pasi Ministria e Shëndetësisë u dha dritën e gjelbër klubeve të Superligës për t’i rifilluar stërvitjet dhe Federatës së Futbollit të Kosovës për ta rifilluar sezonin në qershor.

Drita i rifilloi stërvitjet këtë fillimjavë

Lojtari nuk ka shfaqur simptoma, sipas njoftimit të klubit.

Në një postim në Facebook, Drita njofton se futbollisti në fjalë duhej t’i bashkohej skuadrës në ditët në vazhdim, duke qenë se ndodhej jashtë vendit.

“Sot është pritur që klubit ti bashkëngjiten edhe lojtarët tjerë që janë jashtë Kosovës, por kemi marrë një lajm aspak te mirë, sepse njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv në testimin për Covid-19”, shkruhet në njoftimin e klubit.

“Lojtari deri tani nuk ka shfaqur simptoma dhe do te vijojë të qëndrojë i izoluar në shtëpi”.

Klubi nga Gjilani e ka shprehur shqetësimin me mungesën e testimeve të futbollistëve për koronavirus.

“Jemi shumë të brengosur nga kjo situatë dhe kërkojmë nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë si dhe nga FFK që tu bëhen testet çdo futbollisti dhe çdo personi që involvohet në aktivitete sepse në të kundertën mund të rrezikojmë shëndetin e të gjithë komunitetit të futbollit.”

(Kosova Sot Online)