Premierliga, edhe një hap më afër kthimit

  • 21 May 2020 - 09:15
Premierliga, edhe një hap më afër kthimit

Klubet e Premierligës pritet të marrin aprovim për lejimin e kontaktit mes lojtarëve gjatë seancave stërvitore, duke iu afruar kështu edhe për një hap rinisjes së sezonit në mes të qershorit.

Klubet e Premierligës unanimisht votuan pro rinisjes së seancave stërvitore në grupe të vogla nga e marta, përderisa liga elitare e futbollit në Angli po përgatitet t’u kthehet ndeshjeve, pas ndërprerjes në mars shkaku i koronavirusit.

Të gjitha 92 ndeshjet e mbetura deri në fund të këtij sezoni të Premierligës do të duhet të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura shkaku i krizës së sjellë nga virusi Covid-19, përderisa liga synon të kthehet në qershor.

Çdo grup është dashur t’i respektojë disa masa të ndërmarra shkaku i virusit Covid-19 dhe një mjek ishte i pranishëm për ta mbikëqyrur situatën. Lojtarët, trajnerët dhe stafi i klubit do të testohen rregullisht për koronavirus, në mënyrë që nëse dikush është infektuar, virusi të mos përhapet.

Deri më tani, gjatë kësaj jave, lojtarët kanë pasur mundësi të stërviten në grupe të vogla, por pa pasur kontakte mes vete, që ua ka limituar mundësinë e stërvitjes ekipore.

Megjithatë, Goal raporton se lojtarët në grupe do të lejohen së shpejti të kenë kontakt mes vete, në mënyrë që ata të mundë të stërvitet në mënyrë më të ngjashme me stërvitjet e rregullta.

(Kosova Sot Online)