Fenerbahce e do Hadërgjonajn, kërkon ndihmë nga Muriqi

  • 22 May 2020 - 12:58
Fenerbahce e do Hadërgjonajn, kërkon ndihmë nga Muriqi

Gjiganti turk, Fenerbahce, raportohet se dëshiron ta transferojë mbrojtësin e Huddersfield Town, Florent Hadërgjonaj, i cili për momentin është i huazuar në Kasimpasa. Fenerbahce synon ta përdorë sulmuesin e vet, Vedat Muriqin, për ta bindur Hadërgjonajn pasi që të dy janë bashkëlojtarë në ekipin kombëtar të Kosovës.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Florent Hadërgjonaj, iu bashkua klubit turk Kasimpasa si huazim nga klubi anglez Huddersfield gjatë afatit kalimtar të janarit.

Paraqitjet e tij në Superligën turke tani kanë bërë që ai të ngjallë interesim te gjiganti i ligës së Turqisë, Fenerbahces.

Fenerbahce do t’i ndajë rrugës me Mauricio Islan kur t’i përfundojë futbollistit kontrata në fund të sezonit dhe, sipas gazetës turke Takvim, klubi dëshiron ta zëvendësojë kilianin me kosovarin.

Hadërgjonaj ishte spekuluar për një transferim në Fenerbahce edhe para se t’i bashkohej Kasimpasas, mirëpo gjiganti turk këtë herë shpreson ta përdorë bashkëkombësin e mbrojtësit, Vedat Muriqin, për ta bindur për transferimin.

Megjithatë, Takvim shton se Fenerbahce fillimisht dëshiron të presë deri në fund të sezonit për ta parë se çfarë do të ndodhë dhe, sapo të përfundojë sezoni aktual, mund të bëjë ofertë për kosovarin.

Hadërgjonaj i ka bërë gjashtë paraqitje për Kasimpasan këtë sezon, ndërsa kontrata e tij me Huddersfield Town skadon në fund të qershorit të vitit 2021. 

(Kosova Sot Online)