Richards: Balotelli hodhi fishekzjarrë në kuzhinë dhe më ndoqi nëpër shtëpi

  • 24 May 2020 - 13:13
Richards: Balotelli hodhi fishekzjarrë në kuzhinë dhe më ndoqi nëpër shtëpi

Micah Richards e ka rrëfyer një tregim të ri të pabesueshëm për Mario Balotellin, duke zbuluar se sulmuesi italian kishte hedhur fishekzjarrë në kuzhinën e tij dhe e kishte ndjekur atë nëpër shtëpi.

Richards dhe Balotelli luajtën së bashku në Manchester City nga viti 2010 deri më 2013, gjatë kohës së Roberto Mancinit në klub, duke e fituar Premierligën më 2012 dhe FA Cup në fillim të atij viti.

Duke folur në një intervistë për mediat britanike, Richards ka treguar se sa i afërt ishte me tani sulmuesin e Brescia.

Ai e ka quajtur Balotellin vëlla.

“Ai ishte shoku im i ngushtë; e kisha si vëlla të vogël”, tha Richards për Balotellin.

“Atij i pëlqente vëmendja. Vinte shpesh në shtëpinë time.. të gjithë e dinë historinë e tij të hedhjes së fishekzjarrëve në shtëpi. Por ai hodhi fishekzjarrë edhe në shtëpinë time. Ai më ndiqte nëpër shtëpi. Por unë e dua atë. Flas me të dhe sigurohem se është mirë. Është djalë shumë, shumë i mirë”, zbuloi ai.

Balotelli hodhi fishekzjarrë në shtëpinë e vet, para se të shënonte dy gola në fitoren madhe të Manchester City 6:1 kundër Manchester Unitedit në tetor 2011, duke e zbuluar fanellën “Pse gjithmonë unë”, pas golit. 

(Kosova Sot Online)