I infektuar me Covid-19, ylli i klubit anglez e do kthimin e Premierligës

  • 26 May 2020 - 12:19
I infektuar me Covid-19, ylli i klubit anglez e do kthimin e Premierligës

Portieri i Bournemouthit, Aaron Ramsdale, e ka inkurajuar Premierligën ta rinisë sezonin 2019/20 kurdo që të jetë e mundur, duke thënë se ai ndihet i sigurt në stërvitje, përkundër që është i infektuar me koronavirus.

Futbolli profesionist ka qenë i pezulluar në Angli që nga mesi i muajit mars për shkak të përhapjes së virusit Covid-19, që deri më tani ka infektuar më shumë se 250 mijë njerëz në Britani të Madhe, ndërsa i ka lënë rreth 37 mijë të vdekur.

Përkundër krizës, Premierliga synon të kthehet në fushën e lojës rreth gjysmës së muajit mars, edhe pse një numër i lojtarëve kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus, përderisa lojtarë si Troy Deeney i Ëatfordit dhe N’Golo Kante i Chelseat kanë refuzuar të kthehen në stërvitje shkaku i frikës se mund të infektohen.

Portieri Ramsdale e ka konfirmuar se ai është njëri ndër lojtarët e infektuar me Covid-19 dhe, përkundër që ka mbetur i hutuar nga rezultatet e testit, ai shpreson që sezoni 2019/20 i Premierligës do të mundë të rinisë.

“Duke e parë se si po punon stafi për momentin, kjo ta jep ndjenjën që gjithçka po menaxhohet në detaje dhe gjithçka po bëhet ashtu siç duhet. Në këtë aspekt, ti ndihesh i sigurt në stërvitje”, ka thënë ai.

“Por, kjo që më ka ndodhur mua s’ka të bëjë me sport, por me jetën e përditshme. Ne i shohim njerëzit që janë të shqetësuar për këtë që ka ndodhur dhe ata kanë të drejtë të ndihen në këtë mënyrë”.

“Kështu që nuk e di çfarë të them për këtë temë. Por, kurdo që të jetë e sigurt të rinisë sezoni, atëherë unë e përkrah një gjë të tillë”. 

(Kosova Sot Online)