Der Klassiker: Haaland përballet me Lewandowskin për herë të parë në Bundesligë

  • 26 May 2020 - 14:45
Der Klassiker: Haaland përballet me Lewandowskin për herë të parë në Bundesligë

Erling Haaland dhe Robert Lewandowski do të jenë kundërshtarë për herë të parë në Bundesligë të martën në orën 18:30, kur Borussia Dortmundi, që radhitet e dyta në tabelë, do ta presë liderin Bayern Munich në Signal Iduna Park.

Dhjetë golat e shënuara nga Erling Haaland në po aq ndeshje të Bundesligë i kanë ndihmuar Dortmundit t’i marrë 27 pikë nga 30 të mundshme përgjatë vitit 2020. Adoleshenti norvegjez shënoi në fitoren me rezultat 4:0 në derbin kundër Schalkes, megjithatë ishin mbrojtësi anësorë Raphael Guerreiro dhe Achraf Hakimi që ia dhënë Dortmundit fitoren 2:0 kundër Wolfsburgut të shtunën.

Golashënuesi dhe asistuesi më i mirë i Dortmundit për sezonin 2019/20, Jadon Sancho, luajti rol të vogël në të dyja ndeshjet, pasi nuk u inkuadrua në këto ndeshje deri në pjesët e dyta. Megjithatë, ai mund të jetë titullar për herë të parë sot që nga rinisja e sezonit, pasi që Dortmundi po e ndjek një fitore për ta zvogëluar diferencën me Bayernin në një pikë.

Mbrojtësi Mats Hummels – i cili i fitoi tre tituj radhazi me Bayernin para se të kthehej në Dortmund në verën e vitit 2019 – pritet të jetë titullar, përkundër që gjatë ndeshjes kundër Wolfsburgut u përball me probleme në kyçin e këmbës.

Ish-mesfushori i Bayernit, Emre Can, mund t’ia zërë vendin ose Mamoud Dahoud ose Thomas Delaneyt pasi që në ndeshjen e kaluar u kthye nga lëndimi, përderisa Alex Witsel ende s’dihet se a do të mundë të luajë. Kapiteni i klubit, Marco Reus, nuk ka luajtur që nga shkurti dhe ai pritet të jetë spektator edhe këtë herë.

Bayerni mbetet klubi i vetëm i Bundesligës që s’ka pësuar ende disfatë gjatë këtij viti kalendarik 2020, përkundër që Eintracht Frankfurti u duk në një moment se do ta përmbyste rezultatin, por në fund Bayerni e mbylli ndeshjen me fitore bindëse 5:2.

Leipzigu mbetet skuadra e fundit që ka arritur t’i marrë pikë kampionit në fuqi gjerman, pasi që kishte arritur të marrë barazim pa gola në shkurt, përderisa disfata e fundit e Bayerni është më 7 dhjetor të vitit të kaluar kundër Borussia Monchengladbachut me rezultat 2:1.

Bayerni ka humbur në vetëm dy ndeshje që kur është emëruar trajneri Hansi Flick, i cili arriti të marrë fitore me rezultat 4:0 kundër Dortmundit në ndeshjen debutuese, falë edhe ndihmës së Robert Lewandowskit, i cili i shënoi dy gola në atë ndeshje.

Sulmuesi polak i ka shënuar deri më tani në ligë 27 gola, përderisa Bayerni ka arritur t’i shënojë plot 80 gola në 27 ndeshje të zhvilluara.

Formacionet e mundshme:

Dortmund: Bürki – Piszczek (c), Hummels, Akanji – Hakimi, Can, Brandt, Guerreiro – Sancho, Haaland, Hazard
Jashtë: Reus, Schulz, Zagadou
Në dyshim: Witsel
Trajneri: Lucien Favre

Bayern: Neuer (c) – Pavard, Boateng, Alaba, Davies – Kimmich, Goretzka – Gnabry, Müller, Coman – Lewandowski
Jashtë: Coutinho, Thiago, Tolisso
Në dyshim: Süle
Trajneri: Hansi Flick

(Kosova Sot Online)