Zbulohet arsyeja pse Fergusoni refuzoi ta transferojë Henryn

  • 26 May 2020 - 15:57
Zbulohet arsyeja pse Fergusoni refuzoi ta transferojë Henryn

Thierry Henry e fitoi statusin e një legjendë të Premierligës falë karrierës së tij me Arsenalin, mirëpo tani është zbuluar se karriera e tij mund të kishte marrë kah tjetër shumë lehtë.

Sipas ish-kreut të Manchester Unitedit për siguri, Ned Kelly, trajneri Sir Alex Fergusoni e kishte mundësinë për ta transferuar sulmuesin francez në Old Trafford, para transferimit të tij eventual në Arsenal.

Megjithatë, thuhet se strategu skocez e kishte refuzuar këtë mundësi për ta transferuar Henryn, pasi që ndiente se ai ishte vazhdimisht duke u përballur me lëndime.

“Në tunel, pas ndeshjes, më bëri telefoni. Vëllai i madh i Ericut [Cantona], Jean-Marie, më kishte shkruar: “Ned, tregoj Alexit që Thierry Henry dëshiron të vijë këtu te ne”, zbuloi Kelly për BeIN Sports.

“Tani, kjo ishte para se Henry të shkonte në Arsenal, po zgjedhja e tij e parë ishte Manchester Unitedi. Kështu që unë shkova te trajneri dhe i thashë: “shef, sapo fola me Jean-Marie Cantonan dhe ai më tha që Henry dëshiron të vijë në klub””.

“Ai [Fergusoni] tha: “jo, s’ka asnjë mundësi. Ai është gjithmonë i lënduar”. Pastaj ai shkoi në Arsenal dhe pjesa tjetër mbetet histori”.

Henry nuk kishte shkëlqyer gjatë kohës së tij në Monaco dhe Juventus, ndërsa nuk kishte shënuar as në tetë ndeshjet e tij të para në Arsenal, pas transferimit në vitin 1999 për 11 milionë funte.

Megjithatë, ai e përfundoi sezonin e tij debutues në Angli me 26 gola të shënuara dhe arriti t’i shënojë gjithsej 202 në të gjitha garat për Topçinjtë, para se të shkonte në Barcelonë. Ai i fitoi dy tituj të Premierligës dhe dy tituj të FA Cup, para se ta fitonte edhe trofeun e Ligës së Kampionëve me Barcelonën në vitin 2008. 

(Kosova Sot Online)