Interi shqyrton ofertën e Barcelonës për Lautaron

  • 27 May 2020 - 11:14
Interi shqyrton ofertën e Barcelonës për Lautaron

Interi tani raportohet se e ka pranuar se do ta humbë sulmuesin argjentinas, Lautaro Martinezin, gjatë afatit kalimtar të verës. Zikaltrit tani janë duke e analizuar ofertën e fundit të Barcelonës.

E përditshmja katalonase Sport shkruan sot se Barcelona i është afruar edhe më shumë transferimit të Lautaro Martinez, pasi që tani thuhet se Interi është duke e analizuar ofertën e katalonasve për argjentinasin.

Oferta, sipas po të njëjtit medium, përbëhet nga 50 milionë euro dhe dy lojtarë të Barcelonës. Këta dy lojtarëve mund të jenë Arturo Vidal, Junior Firpo ose Samuel Umtiti, përkundër që ky i fundit e ka përkrahjen e trajnerit Quique Setien.

Nëse Arturo Vidal do të bëhej pjesë e marrëveshjes për transferimin e Lautaros në Barcelonë, kiliani dhe trajneri Antonio Conte do të ribashkoheshin, pasi që kishin qenë së bashku në Juventus.

Situata e Junior Firpos është më e komplikuar, pasi që Sport shkruan se mbrojtësi i krahut të majtë ende s’dëshiron të bëhej pjesë e kësaj marrëveshje, pasi që sapo ishte transferuar në Camp Nou verën e kaluar.

Skuadra e Serisë A do të duhet t’i përgjigjet Barcelonës gjatë ditëve në vijim për t’i treguar se a e pranon këtë propozim apo jo, përderisa ata thuhet se e kanë të qartë se Lautaro e do transferimin në Barcelonë.

Lautaro e ka bërë synimin e tij të qartë duke i refuzuar ofertat e gjigantit italian për rinovim të kontratës, pasi që ai thuhet se dëshiron të luajë përkrah bashkëkombësit të tij, Lionel Messit, edhe në Camp Nou.

Interi tashmë ka filluar kërkimet për ta gjetur një zëvendësues për Lautaron. Zikaltrtit thuhet se janë duke tentuar të arrijnë marrëveshje me Edinson Cavanin, të cilit i përfundon kontrata me Paris Saint-Germainin këtë verë.

(Kosova Sot Online)