Edhe Ballkani kryen testet për Covid-19

  • 27 May 2020 - 14:12
Edhe Ballkani kryen testet për Covid-19

Një ditë pasi Ballkani refuzoi t’i kryejë testet për koronavirus pasi që iu kërkua të udhëtojë në Prizren për këtë qëllim, tani bëhet e ditur që edhe klubi nga Suhareka i ka kryer testet për koronavirus.

Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për t’i lejuar klubet të rikthehen në seanca stërvitore, Federata e Futbollit e Kosovës vendosi që kampionati të rinisë më 7 qershor, ndërsa ndeshjet e Kupës të fillojnë nga 2 qershori.

Fillimisht pati kritika që lojtarët nuk u testuan për koronavirus para se t’i nisin stërvitjet, veçanërisht pasi që lojtari i Dritës, Izair Emini, doli i infektuar me koronavirus. Megjithatë më vonë u bë e ditur se do të testohen të gjithë lojtarët.

Të hënën u konfirmua se Emini është shëruar, ndërsa të martën u raportua se Ballkani ka refuzuar t’i kryejë testet për koronavirus, përderisa trajneri Ismet Munishi më vonë sqaroi se kishin refuzuar pasi që e kishin caktuar që të mërkurën t’i kryenin këto teste.

Munishi më tutje kishte thënë që skuadra e tij nuk pranon të udhëtojë deri në Prizren për t’i bërë këto teste, pasi që Prizrenin e quajti vatër të virusit Covid-19 në Kosovë.

E plani të cilin e bëri të ditur Munishi të martën u realizua sot, në tentim për ta rinisur sezonin dhe për të qenë gati për ndeshjen e parë, atë në kuadër të Kupës së Kosovës, pasi që Ballkani i kreu testet për Covid-19 sot në Suharekë. 

(Kosova Sot Online)