Sermaxhaj rikthen 19 vjeçarët e Dritës në Superligë, ka disa fjalë emocionuese pas këtij suksesi

  • 28 May 2020 - 23:07
 Sermaxhaj rikthen 19 vjeçarët e Dritës në Superligë, ka disa fjalë emocionuese pas këtij suksesi

Me vendimin e fundit të nxjerrë nga Komiteti Ekzekutiv, me ç’rast shpalli të mbyllur edicionin 2019/20 të 19 vjeçarëve dhe njohu rezultatet e arritura në fushën e lojës, ekipi i FC Dritës është në Superligë pas dy vitesh.

Drejtimin e kësaj skuadre e kishte marrë ish-futbollisti i njohur kosovar, Genc Sermaxhaj, i cili me mjaft sukses arriti ta menaxhojë ekipin dhe ta drejtojë drejt Superligës.

Sermaxhaj i cili tashmë është i pajisur me licencë të UEFA-s ka publikuar në llogarinë e tij një shkrim tejet emocionues, teksa falenderon të gjithë bashkëpunëtorët e tij dhe ata që i qëndruan afër gjatë këtij viti me jo pak sfida.

Qysh në vitin e tij të parë me 19 vjeçarët e këtij klubi, ai regjistroi një sukses të madh, objektiv të cilin ‘bardhekaltërit’ e kishin tashmë e dy vite.

“JEMI NË SUPERLIGË

Kur puna dhe besimi shpërblehet me sukses!

Suksesi jonë është Superliga dhe meritën më të madhe për këtë e kanë futbollistët, me ç’rast dua që t’i përgëzoj ata dhe t’u jap leje për të festuar.

Pas një viti me shumë sfida, sakrifica dhe një pune të palodhshme Klubi Futbollistik “Drita” për moshën e 19 vjeçarëve rikthehet në Superligë.

Gati një vit më parë mora besimin nga drejtuesit e Klubit Futbollistik “Drita” për të marrë përgjegjësinë e menaxhimit të ekipit të 19 vjeçarëve në këtë klub dhe një ‘mision’ jo pak të lehtë.

I dija vështirësitë dhe sfidën që do më priste, por pasioni dhe dëshira e madhe për punë nuk më la opsione të tjera përpos t’i pranoja këto përgjegjësi. Këtë punë edhe më të lehtë ma bënë edhe futbollistët, të cilët treguan përkushtim, angazhim, sakrificë, rrespekt dhe sjellje shembullore, e cila tashmë po kurorëzohet me arritje në Superligë.

Asnjëherë nuk kam dyshuar në talentin dhe aftësitë e tyre, disa nga të cilët edhe kanë arritur të kalojnë në ekipin e parë të klubit dhe i pret një ardhme e ndritur.

Nuk më mbetet asgjë tjetër përpos t’u uroj suksese, t’u them edhe njëherë tjetër urime për këtë të arritur dhe le të jetë ky vetëm fillimi i një të ardhme të ndritur për ta, njëkohësisht dua që t’i falenderoj:

Familjen time për mbështetjen.

Klubin Futbollistik “Drita”, së pari për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme.

Drejtorin e Shkollës së Futbollit “Drita”, të nderuarin Profesor, Beqir Rukovcin, për ndihmesën dhe përkrahjen e parezervë.

Stafin menaxhues të fushës sportive ndihmëse në Gjilan dhe në veçanti zyrtarit të Sportit në Komunë, Armend Misinit.

Prindërit dhe familjarët e tjerë të futbollistëve që gjithmonë na qëndruan afër dhe na mbështetën në çdo sfidë që kishim pranë vetës dhe
të gjithë atyre që besuan në ne dhe që na përkrahën të jemi sot ku jemi.

FC Drita U-19 është pjesë e Superligës së Kosovës në futboll pas dy edicionesh të kaluara në Ligën e Parë.
Përgjatë një viti kalendarik kemi regjistruar 9 fitore, kemi pësuar 4 disfata dhe kemi barazuar në 1 ndeshje të vetme. Kemi shënuar 34 gola dhe kemi pranuar vetëm 16. Me 28 pikë nga pozita e dytë jemi pjesë e elitës”, ka shkruar Sermaxhaj.

Të gëzuar me vendimin e fundit nga Komiteti Ekzekutiv kanë mbetur edhe futbollistët, të cilët ishin më meritorët për këtë sukses.

(Kosova Sot Online)