Si do të vendoset kampioni i Premierligës nëse sezoni s’mund të kompletohet

  • 29 May 2020 - 11:01
Si do të vendoset kampioni i Premierligës nëse sezoni s’mund të kompletohet

Deri në kthimin e Premierligës kanë mbetur më pak se tre javë, pasi që klubet tashmë janë pajtuar që sezoni të rinisë më 17 qershor. Klubet u pajtuan edhe se çfarë duhet të ndodhë nëse gara s’mund të kompletohet.

Të enjten, Premierliga bëri të ditur se është arritur marrëveshja për rinisjen e kampionatit më 17 qershor, përderisa dy ndeshjet e para që do të zhvillohet janë ato që u shtyjnë shkaku i finales së Carabao Cup, Manchester City vs Arsenal dhe Aston Villa vs Sheffield United.

Deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe 92 ndeshje për t’u zhvilluar dhe, përkundër vendimit për ta rinisur ligën, shumë klube kanë shprehur shqetësim se kampionati do të duhet të ndërpritet sërish.

Sipas gazetës britanike, The Mirror, klubet vendosen që nëse ndërpritet kampionati sërish shkaku i koronavirusit, atëherë kampioni, vendet kualifikuese për Evropë dhe kush bie nga liga do të vendosen përmes tabelës aktuale, në bazë të pikëve të fituara mesatarisht për ndeshje.

Ky sistem, në bazë të pikëve mesatare të fituara për ndeshje, bën që të mos merret parasysh se nga sa ndeshje si vendas dhe nga si mysafir i kanë zhvilluar klubet.

Për këtë arsye është vendosur që sezoni të rinisë pikërisht me dy ndeshjet që kishin mbetur të pazhvilluara nga xhirot paraprake, pasi që pasi të zhvillohen ato, të gjitha klubet do t’i kenë luajtur nga 29 ndeshje dhe do t’i kenë edhe nga nëntë ndeshje për t’i luajtur.

(Kosova Sot Online)