Konfirmohen edhe datat e ndeshjeve të Kupës së Anglisë

  • 29 May 2020 - 11:43
Konfirmohen edhe datat e ndeshjeve të Kupës së Anglisë

Federata e Futbollit e Anglisë i ka konfirmuar edhe datat për ndeshjet e mbetura të FA Cup. Çerekfinalet do të zhvillohet në fundjavën e 27 dhe 28 qershorit, ndërsa finalja është caktuar më 1 gusht.

Pasi të enjten u vendos për rinisjen e kampionatit në Premierligë më 17 qershor, kjo i dha mundësi Federatës së Futbollit të Anglisë t’i gjejë datat e lira për t’i zhvilluar ndeshjet e mbetura të FA Cup.

Katër ndeshje çerekfinale – Leicester City vs Chelsea, Newcastle United vs Manchester City, Sheffield United vs Arsenal dhe Norwich City vs Manchester United – do të zhvillohen gjatë fundjavës së 27 dhe 28 qershorit.

Datat e sakta dhe orari i ndeshjeve nuk është konfirmuar ende, megjithatë dihet që të gjitha ndeshjet do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura.

Gjysmëfinalet do të zhvillohen gjatë fundjavës së 11 dhe 12 korrikut, ndërsa finalja më 1 gusht.

Edhe pse stadiumet për këto përballje nuk janë caktuar ende, finalja pritet të zhvillohet si zakonisht në stadiumin kombëtar “Wembley” në mënyrë që të vazhdohet tradita e kësaj gare. Edhe gjysmëfinalet zakonisht luhen në Wembley, mirëpo nuk dihet se a do të ndodhë kjo edhe këtë sezon.

Futbolli në Angli ka qenë i suspenduar që nga muaji mars shkaku i përhapjes së virusit Covid-19, ndërsa shorti për çiftet çekerfinaliste ishte zhvilluar më 4 mars.

(Kosova Sot Online)