Barcelona shkarkon personin që ia solli Neymarin

  • 29 maj 2020 - 14:02
Barcelona shkarkon personin që ia solli Neymarin

Barcelona e ka konfirmuar se do ta fillojë një rindërtim të departamentit të skautëve të klubit, ndërsa TV3 raporton se kjo ka bërë që Barcelona ta shkarkojë Andre Curyn, personin kyç në transferimin e Neymarit nga Santosi.

Kur Neymari ishte transferuar në Barcelonë në vitin 2013, Andre Cury kishte qenë personi kryesor që kishte ndikuar në realizimin e transferimit, pasi që edhe klube të tjera, si rivali Real Madrid, kishin qenë të interesuar për brazilianin.

Cury kishte qenë i udhëzuar nga Barcelona edhe sezonin e kaluar ta kthente Neymarin në Camp Nou, pas transferimit të tij në Paris Saint-Germain në vitin 2017.

Megjithatë, negociatat me PSG-në nuk patën sukses vitin e kaluar. Megjithatë, Cury raportohej se kishte ende kontakte të mira me Neymarin, por transferimi dështoi vetëm për shkak se PSG-ja s’ishte e gatshme të bashkëpunonte.

“Bordi i Drejtorëve e ka aprovuar ristrukturimin e departamentit të skautëve, që është rezultat i analizave që filluan të bëhen qysh në janar, me qëllim për ta përmirësuar efektivitetin”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi.

Megjithatë, mediat katalonase shkojnë më tutje dhe raportojnë se Cury, përkundër sukseseve të tij me Neymarin, Arthurin dhe Paulinhon, është shkarkuar pasi që kishte rekomanduar transferimin e Henriques dhe Keirrison, i cili kushtoi 22 milionë euro, por s’e veshi kurrë fanellën e Barcelonës.

(Kosova Sot Online)