Messi mendon se koronavirusi do ta ndryshojë futbollin përgjithmonë: S’do të jetë njëjtë kurrë më

  • 31 May 2020 - 15:57
Messi mendon se koronavirusi do ta ndryshojë futbollin përgjithmonë: S’do të jetë njëjtë kurrë më

Lionel Messi mendon se futbolli, njëlloj si jeta në përgjithësi, nuk do të jetë njësoj kurrë më për shkak të pandemisë koronavirus. Superylli i Barcelonës është duke u përgatitur për t’u rikthyer në fushën e futbollit pas dy javëve.

Virusi Covid-19 i ka vrarë qindra mijëra njerëz në gjithë botën dhe e ka pezulluar futbollin për gati tre muaj, por La Liga dhe shumë liga të tjera evropiane do të rikthehet nga qershori.

La Liga do ta rifillojë sezonin 2019/20 më 11 qershor, me Barcelonën e Messit që synon ta ruajë epërsinë prej dy pikëve ndaj Real Madridit në krye të renditjes tabelore.

Messi e ka pranuar se do të jetë e vështirë të përqendrohet në futboll duke marrë parasysh ndikimin e madh të koronavirusit. Ai beson se jeta dhe futbolli do të pësojnë ndryshime të mëdha si pasojë.

“Shumica prej nesh ngelim me dyshime se si do të jetë bota pas gjithë kësaj që ndodhi. Përveç ngujimit dhe gjendjes e cila na ka habitur, shumë njerëz kanë pasur vështirësi të mëdha për shkak se kjo gjendje i ka prekur ata, siç ndodhi me ata të cilët i humben familjarët dhe miqtë dhe nuk qenë as në gjendje t’i shohim para se të vdisnin”, tha Messi për El Pais.

“Kjo krizë ka pasur shumë gjëra negative, por nuk ka më keq se t’i humbasësh njerëzit që i do më së shumti. Kjo më tërbon shumë dhe më duket se është gjeja më e padrejtë”, shtoi ai.

“Futbolli, sikurse jeta në përgjithësi, nuk do të jetë e njëjtë më kurrë”, theksoi ai. 


(Kosova Sot Online)