Jordan për racizmin në SHBA: Mjaft kemi duruar

  • 01 June 2020 - 08:50
Jordan për racizmin në SHBA: Mjaft kemi duruar

Legjenda e NBA-së dhe ish-ylli i Chicago Bulls, Michael Jordan, ka thënë se afro-amerikanët kanë duruar mjaft dhe se është koha që të gjithë të bashkohen në luftimin e racizmit në SHBA, pas vrasjes së George Floyd nga një polic i bardhë në Minneapolis.

Vdekja e Floyd ka nxitur protesta në Shtetet e Bashkuara dhe Jordan, i cili shpesh është i heshtur në çështjet politike, ka bërë thirrje për t’u ngritur në këmbë në kërkim të drejtësisë.

“Jam thellësisht i trishtuar, ndiej dhimbje dhe zemërim”, ka shkruar Jordan në një komunikatë, të publikuar në llogarinë e tij në Twitter.

“E shoh dhe e ndiej dhimbjen, zemërimin dhe tërbimin e të gjithëve”, shtoi ai.

“Jam me ata të cilët po bëjnë thirrje për luftimin e racizmit të ngulitur dhe dhunës ndaj njerëzve me ngjyrë në vendin tonë. Mjaft kemi duruar. Unë nuk i di përgjigjet, por zërat tanë të përbashkët tregojnë fuqi dhe paaftësi për t’u ndarë nga të tjerët”, vazhdoi ai.

(Kosova Sot Online )