Sancho: Het-triku im sa i ëmbël aq i hidhur, dua drejtësi për Floyd

  • 01 qershor 2020 - 09:40
Sancho: Het-triku im sa i ëmbël aq i hidhur, dua drejtësi për Floyd

Jadon Sancho e ka përshkruar het-trikun e parë profesional si të ëmbël por të hidhur njëkohësisht, për shkak të vrasjes së George Floyd, një afro-amerikani, nga një polic i bardhë amerikan në Shtetet e Bashkuara.

Përfaqësuesi i Anglisë Sancho i shënoi tri gola në triumfin e Dortmundit 6:1 kundër Paderborn të dielën, duke u bërë lojtari më i ri që i arrin 30 gola në Bundesliga.

Duke e festuar golin e parë në atë takim, 20-vjeçari e zhveshi fanellën për ta zbuluar një maicë me mbishkrimin “drejtësi për George Floyd”, në kujtim të njeriut i cili vdiq në paraburgim në Amerikë të hënën e kaluar.

Sancho, i cili u ndëshkua me karton të verdhë për zhveshjen e fanellës së lojës, e zgjodhi Twitterin për t’i shprehur emocionet pas ndeshjes.

“Het-triku i parë profesional. Sa i ëmbël aq i hidhur për mua, sepse gjëra shumë më të rëndësishme po ndodhin në botë sot, të cilat ne duhet t’i adresojmë dhe duhet të ndihmojmë për t’i ndryshuar”, shkroi ai.

“Duhet të bashkohemi si një dhe të luftojmë për drejtësi. Së bashku jemi më të fortë! #DrejtësiPërGeorgeFloyd.”

(Kosova Sot Online )