“S’mund t’i duroja fyerjet e tij” – Grezda shpjegon pse e goditi me grushte kundërshtarin

  • 01 qershor 2020 - 15:27
 “S’mund t’i duroja fyerjet e tij” – Grezda shpjegon pse e goditi me grushte kundërshtarin

Eros Grezda u bë protagonist i ngjarjeje të shëmtuar në fund të gjysmëfinales së dytë të Kupës së Kroacisë mes Rijekas dhe Osijek që përfundoi me fitoren 3-2 me përmbysje të skuadrës vendase.

Shqiptari i Osijek i cili në atë takim u aktivizua për 62 minuta, në përfundim të sfidës u përplas fizikisht me sulmuesin e Rijekas Antonio Colak dhe e goditi me grusht në kokë kundërshtarin e tij.

Pas kësaj ngjarjeje të shëmtuar Grezda ka reaguar në faqen e klubit të tij Osijek duke shpjeguar arsyet e veprimeve të tija që sollën një dhunë të papreçendtë mes futbollistëve të dy skuadrave.

Grezda akuzon sulmuesin e Rijekas Colak se para, gjatë dhe pas ndeshjes e ka fyer në aspektin personal dhe atë kombëtar.

“Më vjen shumë keq që u gjenda në qendër të vëmendjes së mediave, sidomos për kontekstin e çdo gjëje që ka ndodhur përpara dhe gjatë ndeshjes me Rijekan. Të gjithë ne ishim të zhgënjyer nga fakti se si sportistë u dëmtuam gjatë takimit dhe na u mohua fitorja, të cilës i ishim pranë. Nuk është e lehtë për ne të durojmë padrejtësinë në fushë dhe të qëndrojmë të qetë, sidomos kur dikush na fyen. Kur vjen puna te fyerjet e rënda në aspekt personal dhe kombëtar, qoftë si njeri, qoftë si sportist jam shumë i ndjeshëm”, shprehet Grezda pas ngjarjes së ndodhur.

“E gjitha kjo ndodhi jo vetëm gjatë ndeshjes, por dhe pas saj. Unë po qëndroja përpara autobusit të skuadrës sime dhe sulmuesi rival Colak po kalonte para meje në mënyrë provokuese. Jam përballur me provokimet e tij gjatë gjithë ndeshjes. Jetoj për shumë vite në Kroaci. I përmbush detyrimet e mia si qytetar dhe i paguaj taksat dhe nuk e meritoj që dikush të më fyejë për ndjenja kombëtare. Do të marr të gjitha hapat ligjor për të mbrojtur veten dhe nderin tim”, shtoi ai.

Me grushtin që i dha rivalit të tij, Eros Grezda rrezikon të dënohet nga 2 deri në 6 ndeshje nga komisioni i Etikës në Federatën Kroate të Futbolli, por në rast se gjesti i tij cilësohet i rrezikshëm, shqiptari mund të pezullohet për 6 muaj nga futbolli.

Nëse kjo ndodh atëherë 25-vjeçari do të merrte një tjetër goditje në rëndë, në një moment kur shpreson të rifitojë formën e tij optimale dhe të grumbullohet sërish nga kombëtarja shqiptare pas eksperiencës së dështuar te Rangers në Skoci.