Fernandes: Unitedi është klubi më i madh në Angli

  • 02 June 2020 - 14:03
Fernandes: Unitedi është klubi më i madh në Angli

Mesfushori i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, thotë se ai duhet t’i përmirësojë paraqitjet e tij edhe më shumë për t’u përshtatur me kërkesat e Manchester Unitedit, pasi që e vlerëson atë si klubin më të mirë në Angli.

25-vjeçari ka ndikuar shumë në skuadrën e Manchester Unitedit që nga transferimi i tij nga Sporting Lisbona në janar, duke u ndihmuar Djajve të Kuq ta arrijnë një ecuri prej 11 ndeshjeve pa humbje dhe duke e fituar çmimin e Premierligës për lojtarin më të mirë të muajit shkurt.

Fernandes ka arritur ta zë një vend menjëherë në Teatrin e Ëndrrave – duke i shënuar tre gola dhe duke i asistuar katër gola të bashkëlojtarëve në nëntë ndeshjet e tij të zhvilluara që nga transferimi.

Mirëpo, përkundër këtyre paraqitjeve mbresëlënëse, ai insiston se duhet të përmirësohet edhe më shumë si futbollist për t’u përshtatur me nivelin që kërkohet në klubet e mëdha si Djajtë e Kuq.

“Vizioni im, kur vendosa të vij këtu, është se unë jam në njërin ndër klubet më të mirë në botë, që njëkohësisht, për mua, është klubi më i mirë në botë”, ka thënë Fernandes.

“Ideja ime për vitet e ardhshme është të luaj më mirë sesa që jam duke luajtur tani”.

“Për mua, nuk është e mjaftueshme çfarë po bëj tani në ndeshje sepse ndoshta kjo fazë është pjesa më e vështirë. Lojtarët po mësohen ende me mënyrën se si luan ti, si lëviz, si pason, si gjuan dhe tani vështirësohen gjërat”.

“Kështu që tani duhet të përmirësohem më shumë dhe duhet të punoj më shumë dhe t’i kuptoj më mirë skuadrat kundër të cilave luaj, pasi që tani edhe ata do të fillojnë të më njohin mua më mirë”. 

(Kosova Sot Online)