Ter Stegen: Real Madridi s’do të na falë asgjë

  • 02 June 2020 - 14:22
Ter Stegen: Real Madridi s’do të na falë asgjë

Portieri i Barcelonës, Marc-André Ter Stegen, e dha një intervistë së fundi ku i komentoi gjasat e Barcelonës për t’u shpallur kampione e La Ligës, përderisa edhe tentoi t’u japë fund spekulimeve për të ardhmen e ti.

Përhapja e koronavirusit në botë bëri që të pezulloheshin të gjitha aktivitetet sportive në mars. Përveç stërvitjeve dhe ndeshjeve, edhe negociatat mes shumë palëve e pësuan të njëjtin fat.

Ngjashëm ndodhi edhe me negociatat mes Barcelonës dhe portierit gjerman, pasi që dy palët vendosën t’i pezullojnë bisedimet deri të normalizohet situata. E përkundër që Ter Stegen s’ka nënshkruar ende kontratë me katalonasit, ai pretendon se do të qëndrojë edhe më tutje në Camp Nou.

“Nuk është e mundur që unë të largohem këtë verë. Në një moment kur shumë njerëz janë të shqetësuar për jetët e tyre, ne vendosëm t’i shtyjmë negociatat. Ndihem mirë në Barcelonë, pasi që edhe familja ime ndihet mirë”, ka thënë futbollisti.

Ter Stegen tani është bërë gati për rinisjen e kampionatit të La Ligës së shpejti, përderisa Barcelona e mban kreun e La Ligës me dy pikë më shumë sesa rivali Real Madrid.

“Fizikisht, ne rrallë herë kemi qenë në një nivel kaq të lartë. Në aspektin psikologjik, ne do të jemi edhe më të përqendruar në ndeshjet që na kanë mbetur deri në fund”, shtoi Ter Stegen.

“Ndeshjet pa tifozë nuk janë më tërheqëset të mundshme, mirëpo topi vazhdon të rrokulliset dhe ne e shijojmë këtë”.

“Përkundër faktit që ne jemi në një pozitë mjaft të mirë, Real Madridi nuk do të na falë asgjë. Sa i përket Ligës së Kampionëve, ne kemi mundësi të mira për ta kaluar këtë rund dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi”. 

(Kosova Sot Online)