Chelsea ndjek shembullin e Liverpoolit, të gjithë në gjunjë kundër racizmit

  • 02 June 2020 - 14:27
Chelsea ndjek shembullin e Liverpoolit, të gjithë në gjunjë kundër racizmit

Chelsea e ka ndjekur shembullin e Liverpoolit për t’u deklaruar kundër racizmit dhe brutalitetit policor në SHBA, pasi që të gjithë lojtarët dhe stafi u ulën në një gju, simbol ky i lidhur me lëvizjen “Jeta e personave me ngjyrë ka peshë” (ang. Black Lives Matter).

Futbollistë të shumtë në Evropë i kanë shfrytëzuar platformat e tyre në rrjete sociale për të treguar përkrahje për protestat e vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas vdekjes së George Floyd.

Protestat shpërthyen në qytete të shumta të SHBA-së javën e kaluar, pas vdekjes së Floyd. Amerikani me ngjyrë vdiq pasi një polic i bardhë ia mbajti gjurin mbi qafë për mbi tetë minuta.

Ekipi i parë i Liverpoolit e kishte publikuar një fotografi të hënën nga seanca stërvitore, ku shihej e gjithë skuadra e ulur në një gju , përderisa futbollistët që e shpërndanë foton e ndoqën atë me mbishkrimin: “Bashkimi është fuqi”.

Tani, edhe Chelsea e ka bërë të njëjtën gjë. Portieri Kepa Arrizabalaga e postoi një foto të ekipit të Chelseat, ku shihen lojtarët të vendosur në formën e shkronjës H, simbol për fjalën angleze “Humans” që në shqip do të thotë njerëz.

(Kosova Sot Online)