Shefi mjekësor në Serie A kërkon përgjysmimin e periudhës së izolimit për lojtarë

  • 02 qershor 2020 - 15:00
Shefi mjekësor në Serie A kërkon përgjysmimin e periudhës së izolimit për lojtarë

Kreu i ekipeve mjekësore në futbollin italian, Enrico Castellacci, ka thënë se periudha e vetëizolimit për futbollistët e infektuar duhet të përgjysmohet, përderisa është shprehur kundër lejimit tifozëve në stadiume gjatë ndeshjeve.

Serie A do ta rinisë kampionatin për sezonin 2019/20 më 20 qershor dhe ish-kreu i ekipit të mjekëve të Kombëtares së Italisë ka thënë se është e drejtë që futbollit t’i jepet e njëjta mundësi si pjesës tjetër të shoqërisë.

“Le ta pranojmë, rinisja e Serisë A veçse është një fitore e mrekullueshme. Meritat më së shumti i takojnë Federatës së Futbollit të Italisë, që u dorëzua qysh në pengesat e tyre që i ngritën politikanët gjatë muajve të fundit”, ka thënë Castellacci.

“Jeta është duke rinisur tani, dyqanet janë rihapur, lokalet po mbushen, po vërehet gjallëria në rrugët e qyteteve. Mendoj se një industri kaq e rëndësishme sa futbolli duhet t’i ketë të njëjtat mundësi”.

Megjithatë, Castellacci është i shqetësuar nga rreziku që kampionati të mundë të mos kompletohet nën protokollin aktual.

“Klubet në nivelin elitar do të kenë mundësi ta aplikojnë protokollin në mënyrë të sigurt, mirëpo ne jemi të shqetësuar për ligat e nivelit më të ulët, pasi që 90 për qind s’do të kenë mundësi ta zbatojnë protokollin”, shtoi ai.

“Nëse ka vullnet politik dhe federal dhe nëse gjithkush pajtohet për një ndryshim të tillë, atëherë pse të mos përgjysmohet koha e karantinës nga 14 në shtatë ditë? Vetëm në këtë mënyrë mund të ecim përpara me kampionatin.

“Tani më duket e vështirë të mendojmë për kthimin e tifozëve në tribuna. Të vendosen në karantinë mbi 300 persona vetëm pse dikush mund të dalë infektuar… Le të shkojmë hap pas hapi”.

(Kosova Sot Online)