Ter Stegen: S’ka shanca të largohem nga Barcelona

  • 02 June 2020 - 18:50
 Ter Stegen: S’ka shanca të largohem nga Barcelona

Marc-Andre ter Stegen ka thënë se nuk e ka ndërmend të largohet nga Barcelonë dhe ka zbuluar se bisedimet me klubin për ripërtëritjen e kontratës ishin ndërprerë vetëm për shkak të shpërthimit të pandemisë koronavirus.

Portieri gjerman iu bashkua Barçës nga Borussia Monchengladbach në vitin 2014 dhe, edhe pse ishte zëvendësues i Claudio Bravos për dy vjet në La liga, potenciali i tij asnjëherë nuk është vënë në dyshim.

Që prej se u bë portieri i parë i skuadrës në sezonin 2016/17, Ter Stegen zor që ka munguar ndonjëherë, duke u bërë lojtar kyc dhe shumë i nevojshëm për skuadrën.

Për herë të fundit, ai e ripërtëriu kontratën në maj të vitit 2017 deri më 2022, dhe meqë tani kanë mbetur më pak se dy vjet deri në mbarim të saj, tifozët e Barçës kanë shprehur shqetësim se 28-vjeçari mund të largohet.

Edhe pse Ter Stegen e pranoi se bisedimet ishin ndërprerë në fillim të vitit, ai këmbëngul se ishte veprim i duhur për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia Covid-19.

“Nuk ka mundësi që unë të largohem këtë verë”, tha Ter Stegen për DANZ.

“Menaxheri im dhe klubi u takuan për zgjatjen e kontratës, por pastaj ndodhi koronavirusi dhe nuk ishte koha e duhur për të biseduar për kontratë. Në një kohë kur shumë njerëz shqetësohen për jetën, ne vendosëm t’i shtynim bisedimet. Ndihem mirë në Barcelonë, edhe për faktin sepse familja ime ndihet mirë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)