Kur mund ta fitojë Liverpooli titullin e Premierligës

  • 03 June 2020 - 13:30
Kur mund ta fitojë Liverpooli titullin e Premierligës

Pasi e nisi sezonin 2019/20 me rekord më të mirë sesa cilido klub tjetër në top pesë ligat e Evropës, Liverpooli ishte në rrugë të drejtë për ta fituar titullin e kampionit të Anglisë për herë të parë në 30 vjet.

Mirëpo, ecuria e skuadrës së Jurgen Kloppit hasi në pengesë të madhe kur sezoni u ndërpre në mars shkaku i përhapjes së koronavirusit, përderisa kishte shqetësime se Premierliga mund ta anulonte sezonin plotësisht.

Megjithatë, Premierliga pritet ta rinisë këtë muaj sezonin 2019/20, pas tre muajve pa ndeshje, duke bërë kështu që të vazhdojë gara për trofeun e madh. Por, kur mund ta fitojë Liverpooli këtë trofe?

Liverpoolit i duhen edhe gjashtë pikë për ta siguruar trofeun e Premierligës, që do të thotë se djemtë e Kloppit mund të shpallen kampionë me dy fitore në dy ndeshjet e para radhazi.

Megjithatë, Liverpooli mund ta fitojë trofeun qysh në ndeshjen e parë – që pritet të zhvillohet më 19 qershor kundër Evertonit – nëse Manchester City e humb ndeshjen kundër Arsenalit më 17 qershor.

Rekordin për triumfin më të shpejtë në garën për titullin e Premierligës e mban Manchester Unitedi, që ishte shpallur kampion në vitin 2001 më 14 prill, kur i kishte edhe pesë ndeshje për t’u zhvilluar.

Përderisa, shkaku i suspendimit të garës që nga mars, tani Liverpooli s’mund ta thyejë këtë rekord, skuadra e Kloppit mund të bëhet ekipi që e ka fituar titullin me më së shumti ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.

(Kosova Sot Online)