Munishi: Tovërlanin do ta bëjmë ministër të mbrojtjes

  • 03 June 2020 - 18:17
 Munishi: Tovërlanin do ta bëjmë ministër të mbrojtjes

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, e ka thënë me shaka se trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, meriton të bëhet ministër i mbrojtjes, nëse ia del të mbrohet në të njëjtën mënyrë në ndeshjen e kthimit të Kupës së Kosovës, siç u mbrojt në ndeshjen e parë gjysmëfinale të zhvilluar sot në Suharekë.

Ballkani u ndal me barazim pa gola nga Feronikeli në ndeshjen e parë mes tyre në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në Stadiumin e Qytetit në Suharekë, duke i lënë letrat e hapura për përcaktimin e finalistit në ndeshjen e kthimit pas dy javëve në Drenas.

Skuadra e Munishit mund ta ketë dominuar takimin duke e mbajtur topin në posedim, por djelmoshat e Tovërlanit u mbrojtën shumë mirë dhe për më tepër patën edhe mundësi ideale për të shënuar.

Pavarësisht rasteve, ndeshja u mbyll pa fitues dhe Munishi mendon se rezultati i barabartë ishte i drejtë për të dy skuadrat.  

“E kemi ditur sepse Feronikeli është kampion në fuqi. Kjo është e vetmja mundësi për ta për të dalë në Evropë. Feronikeli pati raste me të rrezikshme, ne e poseduam topin. Mendoj se rezultati ishte real”, tha Munishi pas ndeshjes.

Por i pyetur se çfarë pret nga takimi kthyes pas dy javëve në Drenas, Munishi e tha me shaka se nëse homologu i tij i udhëzon lojtarët e vet të luajmë futboll mbrojtës, atëherë ai meriton të jetë ministër i mbrojtjes.

“Nëse Feronikeli mbrohet mirë edhe në Drenas si në Suharekë, atëherë Tovërlanin e bëjmë ministër të mbrojtjes”, tha Munishi me shaka.

(Kosova Sot Online)