Neymari fiton ndihmë prej 120 dollarësh nga qeveria braziliane

  • 05 June 2020 - 11:57
Neymari fiton ndihmë prej 120 dollarësh nga qeveria braziliane

Neymar, futbollisti më i shtrenjtë në botë, u aprovua për t’i marrë 120 dollarë nga qeveria braziliane si pjesë e planit për t’i ndihmuar punëtorët me pagë të ulët gjatë krizës së koronavirusit. Megjithatë, mediumet braziliane raportohet se dikush tjetër kishte aplikuar ilegalisht në emër të tij.

Emri, ditëlindja dhe numri identifikues i yllit të Paris Saint-Germainit u përdorën për të marrë ndihmë prej 120 dollarësh nga qeveria braziliane, sipas mediumit brazilian UOL.

Qeveria e miratoi planin për t’i shpërndarë këto ndihma për t’i ndihmuar brazilianët që kanë paga të ulëta, si pastruesit e kuzhinierët, puna dhe të ardhurat e të cilëve janë zhdukur shkaku i vetëizolimit gjatë kohës së koronavirusit.

Pasi që Neymari, i cili u ble nga Paris Saint-Germaini në vitin 2017 për 222 milionë euro, i fiton 95.5 milionë euro në vit nga Paris Saint-Germaini, ai nuk i plotëson kriteret për ta marrë këtë ndihmë.

Megjithatë, sipas UOL, aplikimi në emër të tij u aprovua fillimisht nga qeveria braziliane, megjithatë më vonë ky aplikim ishte vendosur në kategorinë “për t’u vlerësuar” për shkak të dyshimeve.

UOL raporton se stafi i Neymarit ia ka bërë të qartë se Neymari nuk ka aplikuar për këtë lloj ndihme, por se dikush ka tentuar t’ia vjedhë identitetin dhe ka aplikuar në emër të tij.

Brazili është njëri ndër vendet më së shumti të goditura në botë nga koronavirusi, pasi që ka numrin e tretë më të madh të vdekjeve, më shumë se 34 mijë, dhe radhitet vetëm pas SHBA-së dhe Anglisë. 


(Kosova Sot Online)