Mbrojtësi i Premierligës i bashkohet protestës në Angli për George Floyd

  • 05 June 2020 - 12:21
Mbrojtësi i Premierligës i bashkohet protestës në Angli për George Floyd

Tyrone Mings e shprehu përkrahjen e tij për lëvizjen “Black Lives Matter” (shqip: “Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi”), duke marrë pjesë në një protestë, bashkë me rreth 4000 njerëz të tjerë, në Birmingham të Anglisë të enjten.

Mbrojtësi i Aston Villës dhe Anglisë, i cili mori pjesë në protestën në sheshin Victoria në Birmingham, protestoi kundër racizmit dhe brutalitetit policor, pas vdekjes së amerikanit George Floyd dhe viktimave të tjera me ngjyrë si shkak i dhunës së ushtruar nga policët.

 

Futbolli dhe politika i kanë kryqëzuar rrugët gjatë ditëve të fundit, pasi që një numër i futbollistëve dhe klubeve të famshme i janë bashkuar lëvizjes “Black Lives Matter” pas vdekjes së George Floyd.

Floyd vdiq më 25 maj, pasi një polic i bardhë, i cili që nga atëherë është arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e tij, e kishte mbajtur në tokë duke ia vënë gjurin mbi qafë për gati nëntë minuta.

Mings postoi në llogaritë e tij në rrjete sociale fotografi nga këto protesta, me mbishkrimin: “Asgjë tjetër përveç energjisë së mirë dhe pasionit sot. Unë s’kërkoj falje që po e ngre zërin për atë që e besoj”.

(Kosova Sot Online)