“Shpikën gjëra për mua, por jam i lumtur te Juventusi”

  • 06 June 2020 - 09:28
“Shpikën gjëra për mua, por jam i lumtur te Juventusi”

Ai është vetëm 20 vjeç, por tashmë konsiderohet ndër më të mirët në botë në rolin e tij.

Matthijs De Ligt është një nga ata djem, që i ka djegur etapat dhe tashmë e di që ka një të ardhme të ndritshme, që e pret atë.

Kapiteni i një klubi historik si Ajax, edhe pse shumë i ri, verën e kaluar iu bashkua Juventusit, i cili, për ta bërë të tijin, iu desh të kapërcejë një konkurrencë shumë të fortë.

Në një intervistë për “Tuttosport”, xhevahiri holandez kujtoi ardhjen e tij në klubin bardhezi: “Ndjenja e parë ishte lumturia. Juventusi më bleu, një nga klubet më të mëdha në botë. Pastaj, sapo mbërrita, menjëherë u largova për në Azi, ku kuptova se sa i madh është ky klub. Gjeta tifozë kudo, kudo që shkova, fama e Juventusit është e pamasë. Gjithçka është e ndryshme nga jeta tek Ajax. Le të themi, ndryshimi i parë i madh që më goditi ishte dimensioni ndërkombëtar i klubit. Dhe pastaj erdhi mirëseardhja e shokëve, një grup i jashtëzakonshëm. Të gjithë ishin me të vërtetë të këndshëm dhe ndihmues për mua. Menjëherë më bënë të ndjehem pjesë e një familjeje”.

Gjatë javëve të fundit kanë qarkulluar zëra për lamtumirën e tij të mundshme, por De Ligt në të vërtetë po bën shumë mirë te Juventusi.

“Sigurisht që jam i lumtur te Juventusi. Jam shumë i lumtur. Në periudhën e fundit, pa luajtur futboll, dikush ka shpikur disa gjëra për mua. Jam vërtet i lumtur që jam këtu, që stërvitem çdo ditë me lojtarë të jashtëzakonshëm. Kam ndjenjën e vazhdueshme të përmirësimit nga dita në ditë. Tani jam shumë i lumtur te Juventusi”.

(Kosova Sot Online )