Arthur mund ta ndryshojë mendjen për Juventusin

  • 06 qershor 2020 - 16:54
Arthur mund ta ndryshojë mendjen për Juventusin

Gazeta italiane Tuttosport pretendon se Arthur Melo i Barcelonës ende mund ta ndryshojë mendjen e tij për transferimin e mundshëm në Juventus, përkundër që deri më tani s’ka pranuar të bëhet pjesë e shkëmbimit me Miralem Pjanicin.

Mediumet e mëdha evropiane fillimisht e kishin raportuar marrëveshjen mes Barcelonës dhe Juventusit për shkëmbimin e Miralem Pjanicit me Arthur Melon si gati të përfunduar, mirëpo më vonë rezultoi që Arthuri po refuzon të largohet nga Camp Nou.

Bardhezinjtë dhe katalonasit kanë qenë duke punuar prapa skenave gjatë gjithë kësaj kohe për ta bindur mesfushorin brazilian. Sipas Tuttusport, ende asgjë nuk cilësohet e pamundur, pasi që dy klubet besojnë se mund t’ia ndërrojnë mendjen futbollistit.

Arthuri mund të jetë i gatshëm të shpërngulet në Torino pasi që tani raportohet se i është garantuar nga bardhezinjtë se ai do të ketë mjaftueshëm minuta lojë edhe në Allianz Stadium.

Ndërsa, në anën tjetër, Pjanici po shpreson që ky shkëmbim do të realizohet pasi që dëshiron ta ketë mundësinë të luajë në Camp Nou, përkundër interesimit për të nga Paris Saint-Germaini, Chelsea dhe Manchester Unitedi.

Arthuri i mbush 24 vjeç në korrik, ndërsa ishte transferuar në Barcelona nga Gremio në verën e vitit 2018 për 31 milionë euro.

Deri më tani këtë sezon, ai i ka bërë 23 paraqitje garuese për klubin katalonas, duke kontribuar me katër gola dhe katër asiste. 

(Kosova Sot Online)